Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka pushuar procedurën penale ndaj të miturve M.R., T.B., dhe V.T., për shkak se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata ka pushuar procedurën penale ndaj të miturve të lartcekur, pasi që nuk është provuar se të njëjtët e kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, nga neni 122 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës (KPK).
Tutje, në vendim thuhet se për të miturit u është ndërprerë edhe masa e paraburgimit.
Po ashtu, në vendim thuhet se të miturit nuk e kanë pranuar përgjegjësinë penale për veprën penale me të cilën po ngarkoheshin.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka parashtruar propozim ndaj të miturve që gjykata t’iu shqiptojë dënim me burg pasi që, sipas Prokurorisë, të miturit në bashkëkryerje me të pandehurin Elmedin Raka e kanë kryer veprën penale të lartcekur.
Sipas vendimit, Gjykata ka vlerësuar të gjitha provat dhe ka ardhur në përfundim se të miturit nuk e kanë kryer veprën penale për të cilën po akuzoheshin.
“Gjykata gjen se nuk është kontestuese se në natën kritike të miturit kishin qëndruar deri në orët e vona larg shtëpive të tyre, por kontestuese ishte se të miturit V.T., T.B. dhe M.R. a e kanë kryer në bashkëkryerje me të pandehurin Elmedin Raka, veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, nga neni 122 lidhur me nenin 31 të KPK-së,”, thuhet në vendim të Gjykatës.
Gjithastu, në vendim thuhet se nuk është kontestuese se të miturit kanë kryer veprën penale, siç po pretendon Prokuroria, pasi që as dëshmitarët nuk kanë arritur t’i identifikojnë të pandehurit.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 05.09.2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuari për këtë rast, Elmedin Raka.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 6 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Elmedin Raka me dashje dhe pas marrëveshjes paraprake me të miturit T.B., M.R,. dhe V. T., me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues, ka shkatërruar dhe dëmtuar instalime apo pajisje publike, duke qenë me bindje ideologjike vehabiste si dhe duke shpërfaqur urrejtje ndaj institucioneve shtetërore dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, më 13 mars 2024, rreth orës 03:42 minuta, kanë shkuar te objekti i Gjykatës Themelore Ferizaj – Dega në Kaçanik.
Tutje në aktakuzë, thuhet se i mituri T.B,. dhe i akuzuari Raka, duke përdorur forcën e kanë hapur derën e shkallëve emergjente, kanë arritur në katin e dytë të objektit dhe me një mjet (lloz) metalik kanë hapur dyert e dy zyrave të gjyqtarëve, ku në secilën zyrë kanë vendosur nga dy shishe me lëndë djegëse, ndërsa nga një shishe e kanë vendosur në hyrje të zyrave, e pastaj duke u larguar ua kanë vënë zjarrin shisheve, me ç’rast korridorin dhe zyrat e lartpërmendura i ka kapluar zjarri dhe janë shkatërruar tërësisht, duke vështirësuar funksionimin e shërbimeve publike.
Sipas aktakuzës, gjatë kësaj kohe të miturit V.T,. dhe M.R,. kanë bërë roje rreth objektit të gjykatës, e pastaj se bashku kanë ikur nga vendi i ngjarjes
Me këtë, i akuzuari Raka akuzohet se në bashkëkryerje me të miturit e ka kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndryshe, të miturit e lartcekur janë duke u gjykuar në Departamentin për të Mitur të Gjykatës Themelore të Ferizajt.