Fjalë Kyçe

Pushteti insiston që drafti i Lajçakut për Asociacionin të dërgohet në Venecia

Pushteti insiston që drafti i Lajçakut për Asociacionin të dërgohet në Venecia

Zyrtarë qeveritarë insistojnë që drafti i Asociacionit i propozuar nga Bashkimi Evropian të dërgohet në Komisionin e Venecias për vlerësim. Tri ditë para takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, në ekzekutiv thonë se përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell apo emisari për dialogun, Miroslav Lajçak mund ta dërgojnë draftin për opinion këshilldhënës në Venecia, në mënyrë që krahas përmbajtjes të marrë edhe një formë zyrtare të tij. Kërkesën e Qeverisë ndaj BE-së që draft-statutin e Asociacionit të propozuar për Kosovën ta dërgojnë në Venecia e mirëpresin edhe analistët politikë, por potencojnë nevojën që edhe Kosova të përmbushë obligimet nga marrëveshjet ndërkombëtare për Asociacionin.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se BE-ja dhe Lajçaku duhet të legalizojnë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai shtoi se në formën aktuale si një non-paper pa asnjë nënshkrim, logo, si dhe e ndarë nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, Qeveria e ka të pamundur ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ai ka një përmbajtje, por nuk ka një formë në mënyrë që të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Institucionet e Bashkimit Evropian, në këtë rast zotëri Lajçak apo Borrell dhe mekanizmat përcjellës të tyre ta dërgojnë në Komisionin e Venecias. Institucionet e BE-së, mund të dërgojnë dhe t’i kërkojnë një opinion këshillëdhënës, i cili nuk është obligativ. Venecia pastaj dhe Gjykata Kushtetuese të bëhen dy vendime figurativisht. Zotëri Lajçak duhet të legjitimojë arsyen e vet dhe ta legalizojë përndryshe s’ka kuptim”, ka thënë ai.

Analisti politik, Dorajet Imeri, ka deklaruar se për të dalë nga ngërçi aktual në dialog dhe për të tentuar që t’i jepet zgjidhje temës së Asociacionit, do të ishte mirë që BE-ja të dërgojë në Venecia draftin e Asociacionit të propozuar për institucionet kosovare.

“Dërgimi i draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Komisionin e Venecias nëse do të ishte e pranuar praktikisht sipas normave të aplikueshme. Do të ishte mirë për t’i dhënë një dimension më kritik përmbajtjes së këtij dokumenti. Natyrisht për t’i vijuar më tej në plotësimin e obligimeve ndërkombëtare që ka Kosova. Në radhë të parë në dërgimin e draftit në Gjykatën Kushtetuese që do të nënkuptonte përmbylljen e obligimeve që ka Kosova në këtë fazë”, theksoi ai.

Njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, ka thënë se BE-ja nuk e ka obligim ta dërgojë draftin e Asociacionit në Venecia. Sipas tij, themelimi i Asociacionit është një obligim i Kosovës, andaj kërkesat e tilla, Arifi i konsideron më shumë si elektorale sesa racionale.

“Bashkimi Evropian nuk e ka obligim të dërgojë asgjë askund. Në fund të ditës ai është obligim i yni ndërkombëtar që duhet ta zbatojmë. Është më shumë një narracion zgjedhor sesa që ka një racionalitet”, deklaroi ai.

Qeveria e Kosovës refuzon ta dërgojë në Kushtetuese draftin e BE-së për Asociacionin, duke kërkuar nga BE-ja që atë draft ta dërgojë në Komisionin e Venecias.

Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciq më 26 qershor në Bruksel, ku temë kryesore do të jetë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. /KSP