Fjalë Kyçe

PZAP-ja vazhdon me gjoba ndaj partive politike për shkeljet gjatë fushatës PZAP

PZAP-ja vazhdon me gjoba ndaj partive politike për shkeljet gjatë fushatës PZAP

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vazhduar me gjobat ndaj partive politike për shkeljet gjatë fushatës zgjedhore.

PZAP-ja ka publikuar në faqen zyrtaret vendimet e marra më 25 janar.

Koalicioni për Familje është gjobitur sërish nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). PZAP-ja ka gjobitur Koalicioni për Familjen me 5000 euro pas ankesës së bërë nga organizata joqeveritare “CEL Kosova dhe Dylberizmi”.

Organizata kishte dorëzuar ankesë pas postimit të bërë në Facebook nga kandidati i kësaj partie Jeton Haxhimustafa.

Ai kishte shkruar në Facebook në orët e vona të 22 janarit se “…i kemi shumë arsye për t’u përgjigjur masovikisht këtyre bojkotimeve që po i bëhen Koalicionit për Familje, fillimisht përmes RTK-së dhe tani përmes PZAP-së vetëm që të na detyrojnë të heshtim përballë degjenerimit. Përkundrazi, s’ka pushtet që i nënshtrohemi apo na pengon t’i themi jo martesës burrë me burrë e grua me grua. PIKË!”

Koalicioni për Familje ishte gjobitur me 4500 euro në fillim të javës po ashtu pas një ankese të bërë nga organizata joqeveritare “CEL Kosova dhe Dylberizimi”, me pretendimin se kandidatët e kësaj partie gjatë një tubimi dhe në paraqitje televizive kanë përdorur gjuhë nxitëse dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBTI+.

Ndërkohë PZAP-ja ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 4000 euro shkaku i një videoje të postuar në TikTok nga kandidati nga radhët e kësaj partie Valon Ramadani. Ankesa ishte parashtruar nga PDK-ja.

E PDK-ja është gjobitur me 6000 euro, në dy raste të ndryshme. Në një rast është gjobitur me 3000 euro për shkak të një postimi në Facebook të kandidatit Faruk Bojaxhi e ku ka përdorur objekte fetare, e në një rast tjetër me 3000 euro për vendosje të banerave nëpër rrugë, hapësira publike dhe shtylla ndriçuese në Suharekë.

Me 4000 euro për vendosje të banerave në hapësira publike në Suharekë është gjobitur edhe LDK-ja. E Partia e Serbëve të Kosovës është gjobitur me 3500 euro për vendosje të banerave e posterëve në hapësira publike në Mitrovicë të Veriut.

Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ka nisur më 11 janar.