Fjalë Kyçe

Qehaja: Interpretimi i ligjit për greva edhe mund të kufizoj pagën, por kjo s’është racionale të bëhet në këtë situatë

Qehaja: Interpretimi i ligjit për greva edhe mund të kufizoj pagën, por kjo s’është racionale të bëhet në këtë situatë

Pas pesë javësh, nxënësit kanë mundur që sot t’u kthehen bankave shkollore.
Shumë prej tyre për herë të parë, e disa të tjerë në klasë vijuese.

E nisja e mësimit erdhi pikërisht pas tërheqjes që bëri Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës, e pas konsultimeve të shumta të cilat patën me mësimdhënësit.

Të njëjtit vendosën që përkohësisht të tërhiqen nga kërkesa e tyre për 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Pavarësisht se kërkuan nga Qeveria e Kosovës plotësimin e kësaj kërkese dhe grevuan për pesë javë rresht, një vendim i tillë nuk u mor nga ekzekutivi, në krye me kryeministrin Albin Kurti.

Kurti vendosi që të qëndrojë prapa vendimit të tij që nuk do të jepen këto 100 euro, anipse takime të shumta zhvilluan me përfaqësuesit e SBASHK-ut.

Pas deklaratave të shumta publike, nga secila palë, SBASHK-u vendosi që tërhiqet dhe të vazhdojë mësimi.

Anipse kërkesa për 100 euro vazhdon të jetë aktive, e greva parashihet si mundësi e vazhdimit edhe në janar.

Por duke mos përfunduar me kaq, Qeveria e Kosovës sot bëri publike vendimin se mësimdhënësit grevist nuk do të paguhen për muajin shtator. Lidhur me këtë pati reagime të shumta.

Eksperti i arsimit në vend, Rinor Qehaja tha për lajmi.net se interpretimi i ligjit për greva mund edhe të kufizoj pagën, por se nuk e gjykon që kjo është racionale të bëhet në këtë situatë.

“Interpretimi i ligjit për greva mund edhe të kufizoj pagën por nuk gjykoj që kjo është racionale të bëhet në këtë situatë, dhe aq më shumë ku na u dëshmua që një përqindje e madhe e mësimdhënësve ishin kundër grevës, por me shumë incersion qëndruan në të”,tha ai.

Por sipas Qehajës, vëmendja në këto momente duhet të jetë në klasë, tek nxënësit dhe se kjo është përgjegjësi e të gjithëve.

E pas vendimit për mos ekzekutimin e pagave për muajin shtator është deklaruar edhe i pari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Ai tha se të njëjtit janë goditur pas shpine nga Qeveria e Kosovës.

“Nga informacionet qe kemi, fatkeqësisht pagat nuk janë ekzekutuar, qeveria Kurti e bëri edhe gabimin e radhës, në vend të një mesazhi urues, me deklaratat e tyre dolën që nuk do të ketë paga.Mos të harrojë qeveria, ajo nuk ka të drejtë t’i ndalojë pagat, sepse ligji i grevave thotë diçka tjetër”, tha ai në Info Magazine.

Jasharaj tha po ashtu se ky mesazh është që Kurti ka pasur dëshirë që të vazhdojë greva edhe më tutje.

“Është një goditje dhe një mesazh i keq, dhe qeveria Kurti ka pasur dëshirë që të vazhdojë greva, është një ndëshkim i keq, një mesazh i keq, duke i shkelur të gjitha ligjet, edhe po të ishte ndryshe me ligje, qeveri duhet të kalonte veten dhe të procedonte pagat.Qeveria ka goditur pas shpine kësaj radhe, në vend të mesazhe pozitive në vend të ulemi dhe të bëjmë çmos që vitin shkollor të vazhdojmë me rrjedha të mbara dhe të japim kontribut të çmuar për të arritur edhe ata që është humbur nga greva, ajo sjellë një vendim”,shtoi ai.

E kritika të shumta në drejtim të Qeverisë pati edhe nga partitë opozitare.

Madje i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka siguruar mësimdhënësit se do t’i marrin këto paga.

“Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së.Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat”,deklaroi Abdixhiku.

Ndryshe pagat e mësimdhënësve nuk u ekzekutuan pikërisht për një prej muajve më të vështirë në vend, sa i përket gjendjes ekonomike.

Tani kur çmimet janë tejet të larta,e nevojat edhe më të mëdha në secilën familje, Qeveria Kurti vendosi që t’i lë ata pa paga.