Qendra Kosovare për Studime Gjinore vlerëson se kënga “Nuse, Mësuese” nga Shkurte Fejza dhe Gresa Behluli përmban gjuhë të urrejtjes dhe promovon nënshtrimin e grave.
Këngëtarja e njohur shqiptare, Shkurte Fejza, është ndër artistet më të suksesshme të skenës sonë muzikore, shkruan lajmi.net.
Ajo në këtë periudhë të fundvitit ka qenë shumë e aktive me këngë të reja, të cilat po i sjell në prag të festave.
Një prej këngëve që ajo e lansoi muajin e kaluar në bashkëpunim me vajzën e saj, Gresën është “Nuse, Mësuese”.
Por, teksti i kësaj kënge ka ngjallur reagim nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ku në një deklaratë të tyre thuhet se kënga në fjalë promovon nënshtrimin e grave.
Madje, kjo qendër bën thirrje që të raportohet kjo këngë, pikërisht për shkak të tekstit.
KY ËSHTË REAGIMI I PLOTË I QENDRËS KOSOVARE PËR STUDIME GJINORE, PA NDËRHYRJE:
“KËNGA “NUSE MËSUESE” PËRMBAN GJUHË TË URREJTJES DHE PROMOVON NËNSHTRIMIN E GRAVE. JU FTOJMË TA RAPORTONI!
Ditë më parë është publikuar një këngë nga Shkurte Fejza dhe Gresa Behluli me titull “Nuse mësuese”, këngë e cila përveç që i redukton gratë në rolet tradicionale gjinore, është shumëfish shtypëse për gratë duke qenë se promovon dhunën ndaj grave si mjet të disiplinimit të tyre përmes përmbajtjes frazave si:
“Fjala prishë e fjala ndreqë
Zgjedhi nuse ma mire fjalët
Në daç punët mos me i pasë keq
Zgjedhi nuse fjalët me mjaltë”
…
“Me folë butë e me duru
Nana ty nuse t’ka mësu
Vjehrren me e respektu
Ti nderon prindërit e tu”
Këngë të tilla i kontribuojnë gjithashtu vazhdimësisë së thellimit të pabarazisë gjinore dhe përjetimit të grave si dytësore dhe lehtë të dominueshme.
Andaj, ju ftojmë që të klikoni në vegzën e videos dhe ta raportoni duke klikluar butonin “Report” dhe duke e zgjedhur opsionin “Hateful or abusive content”.