Fjalë Kyçe

Qeveria e re e Serbisë me qëndrime të vjetra ndaj Kosovës

Qeveria e re e Serbisë me qëndrime të vjetra ndaj Kosovës

Me zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë nuk do të ndryshojë politika ndaj Kosovës, sepse ajo udhëhiqet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe jo nga kryeministri apo ministrat, thonë për Radion Evropa e Lirë analistët e çështjeve politike nga Kosova dhe Serbia, Artan Muhaxhiri dhe Ognjen Gogiq.

“Ekziston vetëm një busull që e orienton dinamikën e jetës politike dhe institucionale të Serbisë – quhet Aleksandar Vuçiq. Të gjithë të tjerët afër tij janë shtesa që kanë përfitime të ndryshme nga të qenët kukulla politike”, thotë Muhaxhiri.

Ai thekson se “fuqinë e vërtetë për të marrë vendime të rëndësishme, përfshirë ato që kanë të bëjnë me Kosovën, e ka Vuçiq”.

Për Gogiqin, Qeveria e Serbisë është më shumë “një shërbim që i dorëzon raporte presidentit të Serbisë”.

“Politika [ndaj Kosovës] do të vazhdojë të përcaktohet nga presidenti, varësisht rrethanave të ndryshme”, vlerëson ai.

Më 2 maj, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën Qeverinë e re, të kryesuar nga Millosh Vuçeviq, i cili është kryetar i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.

Gjatë paraqitjes së ekspozesë më 1 maj, Vuçeviq tha se Serbia do të bëjë gjithçka të mundur për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Serbia, deri më tani, e ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndonëse me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, është zotuar se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008, por, përmes marrëveshjeve të ndryshme të arritura ndër vite, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i ka njohur targat, dokumentet e diplomat e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës se si e komenton përbërjen e re të Qeverisë së Serbisë dhe cilat janë pritjet e saj për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, por nuk mori përgjigje.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht e akuzojnë Serbinë për shkeljen e marrëveshjeve të arritura përmes dialogut, se punon për destabilizimin e situatës në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për “presion” dhe “shantazh” ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb.

Autoritetet e Kosovës e akuzojnë, gjithashtu, Serbinë se qëndron pas sulmit të armatosur në Banjskë, që ndodhi shtatorin e kaluar – gjë të cilën Beogradi zyrtar e mohon.

Në atë sulm u vra një polic i Kosovës, ndërsa përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të Kosovës shpesh mund të dëgjohen akuza edhe kundër kësaj partie, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ka, po ashtu, akuza për bashkëpunim të ngushtë mes Beogradit dhe Moskës.

Në përbërjen e re, Qeveria e Serbisë i ka dy persona, të cilët janë nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryesisht për shkak të lidhjeve me Rusinë: Aleksandar Vulinin si zëvendëskryeministër dhe Nenad Popoviqin si ministër pa portofol.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është “i zhgënjyer” me propozimet e Vulinit dhe Popoviqit dhe se të dy ata do të mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur”.

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë se Beogradi, me përfshirjen e Vulinit dhe të Popoviqit në Qeverinë e re, është kujdesur për t’i mirëmbajtur marrëdhëniet me Moskën.

“Prej kohësh, anëtarësimi në BE është më shumë një mjet për konsolidimin dhe mbajtjen e Vuçiqit në pushtet dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Serbisë, pa orientime të qarta ideologjike, sesa një synim serioz i Aleksandar Vuçiqit”, thotë Weber.

Muhaxhiri beson se Vulin dhe Popoviq e gjetën veten në Qeverinë e re të Serbisë, sepse Vuçiq do që të tregojë se e ka fuqinë për ta kundërshtuar shtetin më të fuqishëm në botë.

“… dhe për të treguar se ai ka autoritet për të vendosur vetë në Serbi. Ai do t’i shfrytëzojë këta dy ministra si eksponentët e tij më agresivë, do të krijojë mjegull në jetën mediatike dhe publike, për t’i balancuar kompromiset e tij të mundshme që i kërkohen në kuadër të dialogut [me Kosovën]”, thotë Muhaxhiri.

Pas reagimit të Departamentit amerikan të Shtetit, Vuçiq tha se “nuk është i lumtur” për këtë, por se shpreson në marrëdhënie të mira me “partnerët tanë amerikanë”.

Ministër i ri i Punëve të Jashtme të Serbisë është Marko Gjuriq, deri para pak kohësh ambasador në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën.

Gogiq beson se roli i tij do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve me SHBA-në, pra “fitimi” i mbështetjes së saj për disa qëndrime të Serbisë, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me Kosovën.

“Kjo më shumë do të varet prej asaj se kush do të jetë në pushtet në SHBA pas zgjedhjeve të nëntorit. Prej kësaj varet se cili do të jetë qëndrimi i tyre afatgjatë ndaj Kosovës dhe dialogut. Por, mendoj se është naive nga ana e Serbisë të mendojë se mund ta ndikojë në ndonjë mënyrë politikën e Shtëpisë së Bardhë. SHBA-ja është sponsorizuesja më e madhe e pavarësisë së Kosovës”, thotë Gogiq.

Megjithatë, ai kujton se SHBA-ja, së voni, ka qenë mjaft kritike ndaj Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkak të disa vendimeve që i ka marrë ai.

Weber beson se Marrëveshja e Ohrit për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është bazuar në “politikën e dështuar të zbutjes ndaj Vuçiqit”.

“Ajo ka dështuar me një përshkallëzim të paprecedentë [të situatës] në veri të Kosovës, të cilin kryeqytetet perëndimore nuk janë ende gati ta pranojnë. Beogradi nuk do të sanksionohet kurrë për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të regjimit për sulmin terrorist në Banjskë”, thotë Weber.

Muhaxhiri thekson se qëndrimi i Serbisë ndaj dialogut varet edhe nga presidenti Vuçiq, nga idetë dhe vendimet e tij.

“Sikurse deri më tash, përparimi ose bllokimi do të lidhet kryesisht me nivelin e presionit nga SHBA-ja dhe BE-ja”, thotë ai.

Kosova dhe Serbia, për më shumë se një dekadë, zhvillojnë bisedime për normalizimin e marrëdhënieve. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.