Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se 20 milionë eurot që do të kthehen si dividentë në KOSTT kanë për qëllim që të ndihmojnë likuiditetin e sektorit energjetik në vend.
“Kishim edhe miratimin të një vendimi për kthimin e dividentës ndaj ndërmarrjes publike KOSTT që shënon një hap të radhës pas atij për ndarjen e 20 milionë eurove për ndërmarrjen publike KEK, kësaj radhe po bëjmë kthimin e një shume të ngjashme në ndërmarrjen publike KOSTT që në këtë mënyrë të ndihmohet likuiditeti i sektorit energjetik në vend duke marrë parasysh që për shkak të rritjes së importit dhe rritjes enorme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare për import sektori energjetik po përjeton krizë sa i përket likuiditetit të mjeteve”.
Murati ka dhënë më shumë detaje lidhur me vendimet e tjera që janë marrë sot në mbledhjen e qeverisë.
“U morën disa vendime, çdo herë duke u munduar në përmbushje të programit tonë qeverisës por edhe të pritjeve të qytetarëve. Sa i përket ministrisë tonë kishim një sërë vendimesh si projektligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave që si proces pritet të kryhet gjatë vitit të ardhshëm, megjithëse ishte planifikuar të bëhej këtë vit por për shkak të pandemisë dhe proceseve zgjedhore që kishim ishte e nevojshme që të shtyhej. Kishim edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën në produktet e duhanit që kryesisht ka të bëjë me ndryshimin e njësisë matëse për përllogaritjen e akcizës në produktet e duhanit, por shton edhe produktet tjera si cigaret elektronike apo shishat që kohëve të fundit është shtuar konsumi, pra edhe këto hyjnë në këtë ligj dhe trajtohen ngjashëm”, transmeton klankosova.
Ai ka thënë se ministria që ai drejton synon që vitin 2022 ta fillojë me sa më pak obligime financiare.
“Kishim edhe vendime të tjera kryesisht kursime dhe rialokime të mjeteve në organizata buxhetore për të adresuar të gjitha obligimet. Synimi jonë është që vitin e ardhshëm ta nisim me sa më pak obligime financiare që është e mundur. Kishim edhe ndarje në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike për masa të ndryshme si për bujqësi, arsim apo edhe fushat të tjera siç është mbulimi i një pjese të kostos për familjet në asistencë sociale për energjinë elektrike”.