Fjalë Kyçe

Qeveria mban mbledhje, miraton këto tri vendime

Qeveria mban mbledhje, miraton këto tri vendime

Qeveria e Kosovës, në formë elektronike, sot ka mbajtur mbledhjen e 48-të të saj, në të cilën janë miratuar tri vendime.

Njëri nga vendimet e miratuara në këtë mbledhje është edhe ai për t’i rekomanduar Presidentes që të autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve që të nënshkruajë Marrëveshjen e Kredisë me KfW e cila ka vlerën e mbi 25 milionë eurove.

“Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve që të nënshkruajë Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe KfË për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”. Marrëveshja siguron kredinë në vlerën prej 25.500.000,00 euro (njëzet e pesë milionë e pesëqind mijë euro)”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Po ashtu një vendim tjetër është edhe ai që 18 milionë euro nga fondi i AKP-së të kalojnë në nën-programin “Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike”.

“Vendimi për reduktimin e fondeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe rritjen e fondeve nga granti qeveritar në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, është vendimi i parë që ka marrë miratimin në këtë mbledhje. Sipas vendimit mjetet në vlerë prej tetëmbëdhjetë milionë euro, reduktohen në zero për shkak të mospranimit të fondeve të planifikuara nga burimi i financimit. Këto mjete kalojnë në nën-programin “Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike’”, thotë vendimi.

Po ashtu është miratuar edhe vendimi për ndarje dhe kursime buxhetore në kategoritë e shpenzimeve të organizatave buxhetore. Sipas vendimit, shuma totale e mjeteve të kursimeve buxhetore është 36.505.034,26 milionë euro.

“Mjetet e kursyera do të shpërndahen te organizatat buxhetore sipas nevojave dhe kërkesave për mbulimin e shpenzimeve të ndryshme të propozuara”, thuhet në vendimin e miratuar nga Qeveria.