Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje në mënyrë elektronike në të cilën i ka bërë pesë emërime në një komision, ku do të zgjidhet drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
Në këtë mbledhje, qeveria e ka emëruar komisionin ad-hoc për Vlerësimin Profesional për Pranimin për Pozitën e Lartë të Kategorisë Drejtuese të Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
Si kryesues i këtij komisioni, qeveria e ka emëruar Naim Gashin, i cili është drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Kurse si anëtarë, qeveria i ka emëruar Naim Bardiqin, i cili është Sekretar i Përgjithshëm në ministrinë e Shëndetësisë, Venera Çerkinin, e cila është sekretare e Përgjithshme në ministrinë e Bujqësisë, Ahmet Gashin, i cili është ushtrues detyre i Udhëheqësit të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në MPB dhe Besnik Aliun, i cili sipas qeverisë është ekspert i jashtëm.