Fjalë Kyçe

Qeveria premton se vaksinat e para do të arrijnë gjatë këtij muaji

Qeveria premton se vaksinat e para do të arrijnë gjatë këtij muaji

Kosova ende nuk ka marrë furnizim me asnjë dozë të vaksinës kundër COVID-19, ndonëse mbi 73 mijë persona deri tani kanë rezultuar pozitiv me këtë virus në vend. Nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar se një pjesë e furnizimit me këto vaksina do të vijë këtë muaj nga COVAX, derisa nga kjo e fundit thonë se secili shtet duhet të përfundojë përgatitjet për furnizim, në mënyrë që pastaj të furnizohen, raporton Gazeta Express.

Nga Aleanca e Vaksinave Gavi, ditë më parë është bërë e ditur se deri në muajin maj, shtetet pjesëmarrëse, përfshirë edhe Kosovën, do të furnizohen me raundin e parë të vaksinave anti-COVID të COVAX.

Ndonëse nuk është dhënë ndonjë datë e saktë se kur do të bëhet furnizimi, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për Express se Ministria e Shëndetësisë është në komunikim me COVAX dhe se deri në fund të këtij muaji besojnë që do të mbërrijnë vaksinat dhe do të fillojë vaksinimi.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ditë më parë ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji Kosova do të furnizohet me 33 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19 nga COVAX.

Ndërsa, zëdhënës në Aleancën e Vaksinave Gavi, kanë thënë sot për Express se raundi i parë i furnizimeve i është komunikuar qeverive përkatëse të cilat po punojnë ngushtë me partnerët e COVAX dhe prodhuesit e vaksinave për datat specifike të dërgesave, ndërsa, datat e sakta se kur do të bëhet furnizimi, pritet të bëhen publike ditëve në vijim.

Nga kjo aleancë i kanë thënë gazetës se kur secili shtet do të përfundojë përgatitjet për furnizim, COVAX do të urdhërojë blerjen e vaksinave dhe do të fillojë furnizimi.

“Ne jemi në kontakt të ngushtë me secilën prej ekonomive pjesëmarrëse të COVAX në lidhje me shpërndarjen e vaksinave COVID-19. Ndërsa, secila ekonomi përfundon përgatitjet e gatishmërisë, COVAX lëshon urdhra blerjeje për prodhuesit dhe anijet dhe jep doza të vaksinave përmes një procesi përsëritës. Kjo do të thotë, që nga java e kaluar, dërgesat për këtë raund të parë të alokimit po ndodhin çdo ditë, në bazë të kodrinave dhe në transhe”, kanë thënë ata.

Nga “Gavi”, kanë thënë tutje për gazetën se në mënyrë që të bëhet furnizimi me vaksina në raundin e parë, duhet të plotësohen kriteret kombëtare të autorizimit rregullator, duhet të bëhen marrëveshjet e dëmshpërblimit për të gjithë pjesëmarrësit me prodhuesit, të bëhen planet kombëtare të vaksinimit nga pjesëmarrësit e AMC, dhe faktorë tjerë logjistikë si licenca e eksportit dhe importit.

Me ardhjen e vaksinave, Kosova si shumë shtete do të fillojë vaksinimin e qytetarëve. Të parët që do të vaksinohen do të jenë punëtorët shëndetësorë, personat e moshuar mbi 80 vjeç, të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje kronike.