Qeveria e Kosovës ka vendosur në mbledhjen e 30-të që të miratojë vendimin për “racionalizim të shpenzimeve gjatë përdorimit të veturave zyrtare dhe kthimin e të gjitha targave civile në targa zyrtare”.
Sipas njoftimit, vendimi shfuqizon të gjitha vendimet për aprovime të veçanta të përdorimit 24 orë të automjeteve zyrtare të nxjerra mbi bazën e nenit 3 paragrafi 3.3 të Udhëzimit Administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës.
“Automjetet zyrtare mund të përdoren 24 orë në ditë nga zyrtarët tjerë të Qeverisë, vetëm në rastet e veçanta me autorizim të veçantë, ku për shkak të specifikave të punës është e domosdoshme përdorimi i automjetit zyrtar. Ky autorizim propozohet nga zyrtari kryesor administrativ dhe aprovohet nga ana e Kryeministrit apo Ministrit të ministrisë përkatëse. Autorizimi lëshohet për raste individuale në kohëzgjatje jo më shumë se 72 orë”, thuhet në njoftim.