Fjalë Kyçe

Qeverisë pritet t’i dërgohet propozimi i ri për pagën minimale

Qeverisë pritet t’i dërgohet propozimi i ri për pagën minimale

Këshilli Ekonomiko-Social pritet që deri në fund të muajit ta dërgojë në Qeveri propozimin final për pagë minimale.

Në takimin e fundit të Këshilli Ekonomiko-Social, më 10 mars, kishte dy propozime për pagë minimale e që u hodhën në votim, por asnjëri propozim nuk mori votat e duhura.

Ky këshill ka bërë të ditur sot se propozimi që pritet t’i dërgohet Qeverisë për miratim për pagën minimale është i arsyeshëm.

“Deri në fund të këtij muaji do të mbahet takimi i radhës i KES-it, ku do të votohet propozimi përfundimtar për pagën minimale, i cili propozim do t’i dërgohet për miratim Qeverisë. Besojmë shumë se propozimi i KES-it, i cili është propozim i arsyeshëm, do të miratohet nga Qeveria dhe të punësuarit në Republikën e Kosovës do të kenë një pagë minimale të arsyeshme”, thuhet në komunikatën e Këshilli Ekonomiko-Social.

Njoftimi i plotë:

Këshilli Ekonomiko-Social – KES-i është organi i nivelit nacional, i cili udhëheq konsultimet dhe u bënë propozime organeve kompetente për çështjet nga marrëdhënia e punës, mirëqenia sociale dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me politikat ekonomike në Republikën e Kosovës, në cilësinë e organit më të lartë trepalësh apolitik e që funksionon si i pavarur, pa ndikim të ndonjë grupacioni ose interesi politik që vjen nga jashtë.

KES-i përbëhet prej pesëmbëdhjetë (15) anëtarëve, të cilët në këtë organ përfaqësojnë interesat e Organizatave të punësuarve, Organizatave të punëdhënësve dhe Qeverisë, dhe pos të tjerash përkujdeset edhe për propozimin e pagës minimale pasi që e ka në mandatin e vet.

Në këtë mandat, KES-i kryesohet nga unë, Kryetari i BSPK-së dhe bashkë me katër anëtarë të tjerë përfaqësojmë Organizatat e të punësuarve; e pesë përfaqësues të tjerë vijnë nga Organizatat e punëdhënësve – Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit; dhe pesë përfaqësues të tjerë nga Qeveria – Ministritë përkatëse.
Në Takimin e fundit të KES-it, më 10 mars, kishte dy propozime për pagë minimale e që u hodhën në votim po asnjëri propozim nuk mori votat e duhura.

Deri në fund të këtij muaji do të mbahet Takimi i radhës i KES-it ku do të votohet propozimi përfundimtar për pagën minimale, i cili propozim do t’i dërgohet për miratim Qeverisë. Besojmë shumë se propozimi i KES-it, i cili është propozim i arsyeshëm, do të miratohet nga Qeveria dhe të punësuarit në Republikën e Kosovës do të kenë një pagë minimale të arsyeshme.

Duam të cekim se KES-i do të vazhdojë me punën rreth përcaktimit të pagës minimale edhe për vitin 2023, që do të mundësojë propozimin e pagës minimale më të lartë se në vitin që jemi, vitin 2022.

Prononcimet e tjera, që mund të lexohen e të dëgjohen në mediat tona, përkitazi me rrjedhën e punës rreth përcaktimit dhe propozimit të pagës minimale janë të paqëndrueshme dhe të paqena. Prandaj ajo që thuhet nga ata e ato që nuk e kanë mandatin e KES-it dhe nuk duhen marrë si të sakta dhe të duhura.

Kryetari i BSPK-së
Atdhe Hykolli