Fjalë Kyçe

QKUK: Mos i ekspozoni fëmijët në ajër të ndotur

QKUK: Mos i ekspozoni fëmijët në ajër të ndotur

Shkalla e lartë e ndotjes së ajrit që po mbretëron tash sa ditë në kryeqytet, e shumë qytete tjera, kjo ka bërë që numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore të rritet. Më të rrezikuarit janë fëmijët.

Këtë e ilustron fakti se në Klinikën e Pediatrisë në QKUK është duke u rritur numri i fëmijëve me probleme në frymëmarrje. Drejtoresha e kësaj klinike, Drita Telaku, ka apeluar të qytetarët që të mos i ekspozojnë fëmijët gjatë ditëve kur ndotja e ajrit është e lartë.

Cilësia e ajrit në Prishtinë në muajt e fundit ka arritur shifra alarmante. Sipas Qendrës për matjen e cilësisë së ajrit, të vendosur nga Ambasada Amerikane, shkalla e ndotjes ka arritur deri në 400 ppm. Niveli i lartë i ajrit të papastër ka ndikuar edhe në shëndetin e banorëve në kryeqytet.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Drita Telaku, tha për televizionin publik se në këtë klinikë ditëve të fundit është regjistruar numër më i madh i fëmijëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Duke folur për ndikimin e ajrit të ndotur në shëndetin e fëmijëve, Telaku u ka bërë thirrje qytetarëve që të evitojnë ekspozimin e fëmijëve gjatë kohës kur ajri është i ndotur.

”Në sistemin respirator sidomos te fëmijët që kanë ndjeshmëri më të madhe bronkiale, te ata ndikon më shumë. Prandaj, gjithmonë janë këshillat për prindër: vendosini fëmijëve një shall në gojë kur doni të dilni. Mundësisht në orët e mbrëmjes ose kur e vëreni që është mjegull mos i qitni fëmijët pa nevojë jashtë. Këto janë disa masa të përgjithshme, mirëpo është e pamundur të izolohesh prej ajrit, sido që të jetë”, thotë Telaku.

Se ka fluks të rritur të pacientëve e konfirmon edhe kryeshefi ekzekutiv në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Sami Uka. Këtë fluks ai e arsyeton edhe me sezonin e dimrit duke mos përjashtuar edhe ndikimin e cilësisë së ajrit.

”Vërehet një fluks më i madh i pacientëve. Mirëpo, ai fluks i rritur nuk mund t’i përshkruhet vetëm ajrit të ndotur. Është sezoni i gripave, ndërrimit të temperaturave, kështu që në përgjithësi është numër më i madh i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore te ne”, thotë Uka.

Organizata Botërore të Shëndetësisë, ka shprehur shqetësim se ndotja e ajrit është një nga kërcënuesit më të mëdhenj për shëndetin. Sipas kësaj organizate, ajri i ndotur vret mbi 7 milionë njerëz në vit.

Ndryshe për ndihmuar në përmirësimin e ajrit të ndotur në kryeqytet, ditë më parë është ndaluar shitja e thëngjillit (lëndë kjo që shfrytëzohet për ngrohje nga qytetarët). Po ashtu Ministria e Ambientit ka paralajmëruar se së shpejti do të ngritët një Task-Forcë për ajrin e ndotur.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/mjeket-e-qkuk-se-apelojne-tek-prinderit-mos-i-ekspozoni-femijet-ne-ajer-te-ndo-603662/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright