Mbi dy mijë prishtinas kanë hapur dyert e banesave të tyre për instalimin e pajisjeve në radiatorët e kyçjes në ngrohtoren “Termokos”.
Ky është projekti i parë që po zbatohet dhe mundëson rregullimin vetanak të temperaturave.
Që nga ky sezon dimëror, qytetarët do të paguajnë faturën e ngrohjes varësisht nga konsumi, e jo nga metrat katrorë të hapësirës e cila ngrohet. Projekti “Prishtina Heat Save”, në vlerë prej më shumë se nëntë milionë eurove financohet nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Komunës së Prishtinës.
Specialistja për energji në MCC, Drita Desku tregon detaje të këtij projekti dhe rëndësinë e instalimit të këtyre pajisjeve në radiator.
“Projekti ‘Heat Save’, siç e kemi brenduar me këtë emër, përfshin instalimin e pajisjeve matëse, valvuleve termostatike, valvuleve balancuese si dhe rehabilitimit të disa pompave në stacionin në të gjithë 17 mijë e 500 klientëve të Termokosit. Gjithashtu ky projekt, përveç që përfshin instalimin e matësve, e pajisjeve matëse e përfshin edhe integrimin e një softueri, i cili do të bëjë kalkulimin e tarifave jo përmes metrave katror, siç ka qenë deri më tani, por sipas konsumit. Ky softuer njëkohësisht është furnizuesi apo kontraktori, i cili e ka marr këtë projekt do të ekzekutojë bashkë me Termokosin”, tregon ajo.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK), Petrit Selimi, kjo do t’iu mundësojë prishtinasve që t’i matin shpenzimet e tyre dhe të paguajnë aq sa konsumojnë.
“Benefiti kryesor është për konsumatorët e Termokosit, për banorët e Prishtinës që kanë ngrohje qendrore, sepse ata me këtë projekt në të ardhmen do të mund t’i kontrollojnë nivelin e ngrohjes dhe të kontrollojnë nivelin e shpenzimeve edhe faturimit. Deri më tani, metrat katror kanë qenë ato që kanë përcaktuar çmimin, ndërsa në të ardhmen me valvulet kontrolluese, me alokatorët dhe njësinë matëse, prishtinasit që kanë ngrohje do të paguajnë aq sa përdorin”, tha ai.
Nëpërmjet këtij projekti do të krijohet edhe sistemi i kursimit me mundësi të shtrirjes së rrjetit të ngrohtores edhe në lagjet tjera.
“Deri më tani prej dy mijë apartamenteve të cilat janë hapur, rreth 1800 alokatorë janë instaluar, gjithashtu edhe valvulat termostatike, janë kryer 1800 apartamente prej këtyre 2000. Sigurisht kontraktori e ka një plan implementues që e përmenda dhe përfshin fazat e veta. Ky plan përfshin edhe distriktet e Termokos-it, kontraktori ka filluar me sugjerimet e Termokosit, për të përfshirën Ulpianën si fillim, për tu zgjeruar në Kodrën e Diellit, paralel edhe Dardania”, tregon specialistja Desku.
Për më pak se 30 minuta, para pak ditëve janë instaluar pajisjet në radiatorët që ka në banesë Ilirian Hoxha i cili është banor në lagjen “Dardania”.
“Sa të shpenzojmë edhe paguajmë, do të thotë nuk mund të bëjmë dëm. Kush dëshiron të ngrohet më shumë, paguan më shumë. Kush dëshiron të ngrohet më pak, paguan më pak”, tha ai./Kp