Për shkak të masave anti-COVID të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë, autobusët janë të obliguar të punojnë me 50 për qind të kapaciteteve të tyre.
Mirëpo, këto masa kanë revoltuar qytetarët në Prishtinë, të cilët kanë bllokuar qarkullimin e linjës 4 të autobusëve.
Një sinjalizues ka dërguar video në adresë të Gazetës Sinjali, ku shihen disa qytetarë të cilët kanë dalë në rrugë, duke mos lejuar të kalojë një autobus i linjës 4 të Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban”.
Sipas tij, ky ishte autobusi i pestë me radhë që nuk ndaloi në stacion për të marrë udhëtarë, çka revoltoi qytetarët që po prisnin, duke i nxitur që të dalin në mes të rrugës, për 3,4 minuta.
Sipas tij, video është realizuar rreth orës 14:30.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me ndërmarrjen në fjalë për të marrë një prononcim lidhur me këto rast dhe ankesat që kanë ardhur në redaksi edhe për linjën 3 të autobusëve.
Nga “Trafiku Urban” kanë thënë se arsyeja e vetme që autobusët nuk ndalen në stacione, është për shkak se janë të obliguar të respektojnë masat anti-COVID, njëra prej të cilave ua ndalon që të kenë më shumë se 17 udhëtarë në autobus.
Madje, nga kjo ndërmarrje thanë se kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të lehtësojë këto masa, por ende nuk kanë pranuar asnjë përgjigje.
“Ajo që thonë qytetarët, ata e shprehin mllefin e tyre, por nuk qëndron ajo, sepse ne i përgjigjemi rregullores që na i ka parashtru masat kufizuese prej IKShPK-së dhe Ministria e Shëndetësisë, që ne të punojmë me 50 për qind të kapacitetit të ulëseve që i kemi, që do të thotë prej 35 ulëseve që i kemi në autobus, ne duhet t’i kemi vetëm 17 pasagjerë në autobus. Kur e sheh dikush autobusin duket si me qenë bosh, është pa pasagjer, por çdo e dyta ose e treta ulëse është e nxënë, por nuk qëndrojnë pasagjerët në këmbë.”
“Është kapaciteti i limituar, por duket se është një numër i vogël në krahasim kur janë mësu me i pa autobusat e mbushur.”
“E vetmja është kompania publike e Trafikut Urban që po iu nënshtrohet masave adekuate dhe u është nënshtruar dënimeve. Shoferët kanë paguar dënime deri në 200 euro, pikërisht te Pallati i Rinisë, i kanë ndalë Policia, ua ka zbritur udhëtarët dhe i ka dënuar. Edhe ne kemi mëshirë, kur shohim nëna me fëmijë dhe të moshuarit, i marrim, por po na kushtojnë.”
“Ne nuk mund t’u themi shoferëve merre një ose dy më shumë, kur nuk jemi në gjendje t’ua rimburësojmë dënimin që ua jep Policia. Po jetojmë në një kohë të vështirë, por nuk është e vërtetë ajo që autobusat po shkojnë bosh, autobusat shkojnë me kapacitetet e kufizuara.”
“Ne si kompani, pikërisht menaxhmenti dhe kryeshefi u kanë bërë kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKShPK-ja që me i lehtësu masat, me na e rrit numrin e pasagjerëve, por jemi ende të painformuar për atë kërkesë. Për shembull autobusët e kompanive private marrin pasagjerë, deri në 70-80 vetë, deri në 100 vetë”, thanë nga kjo ndërmarrje.