Fjalë Kyçe

Qytetarët i dënojnë me nga 35 euro, por policët ia shtrijnë muhabetit me zyrtarin e PDK-së që nuk kishte maskë

Qytetarët i dënojnë me nga 35 euro, por policët ia shtrijnë muhabetit me zyrtarin e PDK-së që nuk kishte maskë

Bartja e maskës në Kosovë është bërë obligative shkaku i pandemisë Covid-19.

Qytetarët të cilët nuk po bartin maska po dënohen nga policia me nga 35 euro, shkruan Reporteri.

Por, rregullat e njëjta nuk po zbatohen për të gjithë. Të privilegjuar po janë zyrtarët e partive politike në Kosovë.

Një rast i tillë ka ndodhur hiç më larg se dje. Derisa policia në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ishte në orar të punës duke verifikuar zbatimin e masave nga ana e qytetarëve, dy prej tyre nuk po vepronin njëjtë edhe me zyrtarin e PDK-së, Hisen Berisha.

Në disa foto të siguruara nga Reporteri, Berisha shihet pa maskë në mes të sheshit të Prishtinës, për më tepër në shoqërinë e dy policëve.

Gjykuar nga fotot muhabeti mes tyre po shkonte mjaft mirë, saqë policia me sa duket kishin “harruar” se i njëjti po shkelte ligjin.

Ndryshe, në shoqërinë e Hisen Berishës janë parë edhe dy persona të tjerë, që të dy me maska.

Ndryshe, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë ditës së djeshme derisa ka folur për lehtësimin e disa masave ka konfirmuar se maskat në ambient të hapur do të vazhdojnë të mbeten obligative.