Janë rreth pesë mijë zyrtarë shtetërorë që i nënshtrohen çdo vit deklarimit të pasurisë nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK).
Mirëpo, ky numër pritet të ndryshojë me iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka nisur ridraftimin e Ligjit për deklarimin e pasurisë dhe atë për AKK-në, raporton KTV.
Kjo ministri vlerëson se rreth një mijë asamblistë të kuvendeve komunale dhe disa kategori të tjera, është e panevojshme të vazhdojnë ta deklarojnë pasurinë.
Ministria e Drejtësisë thotë se është me e rëndësishme që këtë ta bëjnë kategori që më lehtë mund të përfshihen në afera korruptive, siç janë mjekët, policët dhe profesorët e universiteteve publike.
“Duke i përfshirë këto kategori si pjesë e deklarimit të pasurisë në një formë tjetër, do ta luftojmë informalitetin që mund të ndodhë, sepse ata njerëz do ta deklarojnë pasurinë dhe të hyrat që do të kenë edhe nga institucionet e tjera private, ku ata punojnë pas orarit të punës, qofshin ata mjekë, profesorë nëpër institucione të tjera dhe mendoj që një çështje e tillë i kontribuon edhe luftimit të informalitetit, por edhe të parandalimit të çfarëdo keqpërdorimi të mundshëm të parasë publike”, ishte shprehur Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë, në një intervistë në Interaktiv.
Qytetarët e vlerësojnë punën e mjekëve si të ndjeshme, derisa e shohin të nevojshme që ata të tregojnë pasurinë.
Oda e Mjekëve e Kosovës thotë se në parim e përkrah këtë iniciativë, por ka disa paqartësi.
Ministri Tahiri ka thënë se propozimi është që pasurinë ta deklarojnë një pjesë e zyrtarëve policorë që kanë pozita të ndjeshme, siç është luftimi i korrupsionit dhe terrorizmit.
Pjesë e deklarimit të pasurisë nuk është as një pjesë e inspektorëve të Administratës Tatimore dhe oficerëve doganorë, të cilët synohet t’i shtohen kësaj liste.