Fjalë Kyçe

Qytetarët pejanë nuk respektojnë masat kundër koronavirusit para hundës së kryetarit të Komunës

Qytetarët pejanë nuk respektojnë masat kundër koronavirusit para hundës së kryetarit të Komunës

Rrugët e Pejës në dukje të parë japin përshtypjen se qytetarët po tregohen të përgjegjshëm dhe po respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Megjithatë, para hyrjes së Administratës Komunale, shfaqet një fotografi krejt tjetër, raporton KOHA.

Me dhjetëra qytetarë në pritje për të marrë shërbime administrative ishin thuajse ngjitur me njëri-tjetrin.

Këto pamje pa rend, pa distancë sociale e pa kujdes për të ruajtur veten dhe të tjerët në këtë kohë të pandemisë kanë shqetësuar dhe zëmëruar drejtorin e Financave të kësaj komune, Jeton Abazaj, i cili muajin e kaluar ka qenë i sëmurë nga Covid-19.

“Unë po e shoh që hala është vetëdija e ulët e njerëzve dhe kujtojnë fillimisht që nuk ekziston virusi, e pastaj edhe zbatimi i masave nuk është duke u zbatuar si duhet. Për arsye se veç po shihet se veç po shihet se veç vendet ku janë në mbikëqyrje ato zbatohen, në raste tjera nuk zbatohen si duhet masat mbrojtëse”, ka thënë Abazaj.

E pavarësisht tentativës, punëtorët e sigurimit dhe inspektorët komunalë nuk arrinin të krijonin rend dhe distancë mes qytetarëve të papërgjegjshëm, dhe u desh që të kërkohej asistencë nga pjesëtarë të policisë.

“Kjo rrëmujë kjo guzhmë nuk i shërben aspak parandalimit të përhapjes së Covid-19. Ne i kemi udhëzuar që në korridore brenda objektit mos të ketë pritje. Pra një nga një të hynë. Por po shihet se edhe në hapësirat e jashtme nuk po mbahet rendi”, është shprehur Petrit Loci, drejtor i Shëndetësisë.

Tollovia pa respektuar masat mbrojtëse para objektit komunal, është edhe më shqetësuese për Locin, duke pasur parasysh situatën nga pandemia, e cila, sipas tij, në këtë komunë nuk është aspak e mirë, për shkak të papërgjegjësisë së qytetarëve dhe numrit të madh të të infektuarve ditëve të fundit.

Vetëm pesë ditët e fundit janë diagnostikuar 78 raste me Covid-19. Prej fillimit të pandemisë gjithsej janë regjistruar në këtë komunë 335 raste, prej tyre 261 raste prej 1 qershorit, kur janë lehtësuar masat e deri më 2 gusht. Nga ky virus kanë vdekur deri tash tetë persona, ndërsa rreth 100 raste janë aktive.

Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës aktualisht po trajtohen 78 pacientë me Covid-19, prej të cilëve 38 janë në oksigjenoterapi dhe 17 pacientë të tjerë janë në gjendje më të rëndë.