Fjalë Kyçe

Qytetarët që votojnë me postë s’po mund të shkarkojnë fletëvotimin

Qytetarët që votojnë me postë s’po mund të shkarkojnë fletëvotimin

Edhe pse ka nisur të rrjedhë afati ligjor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka publikuar fletëvotimin për qytetarët që do të votojnë me postë.

Madje në faqen e KQZ-së mungon edhe broshura e kandidatëve. Shumë qytetarë kanë shkruar përmes rrjeteve sociale se nuk po u mundësohet votimi.

Ndaj vonesave ka shprehur kritika edhe kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla. Ajo ka thënë se e drejta e votës është e drejtë kushtetuese dhe jo lëmoshë e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Përmes një postimi në Facebook ajo ka thënë se edhe pse votimi me postë ka filluar në mesnatë, ende nuk janë publikuar listat e votuesve e as fletëvotimet.

“Sot në mesnatë ka filluar afati për votimin me postë, pra votimin e mërgatës. 10 orë më vonë nuk janë publikuar ende as listat e votuesve dhe as fletëvotimet. Koha është edhe ashtu tepër e shkurtër dhe çdo vonesë e pafalshme”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka thënë se KQZ-ja është kthyer në shkelësin më eklatant të kushtetutës duke iu pamundësuar me forma perfide qindra mijëra mërgimtarëve të japin votën dhe kontributin e tyre për ndryshimin.

“Kjo nuk është thjesht një shkelje administrative. Ky është një akt skandaloz i varësisë totale politike nga kapësit e shtetit. Ja pse secili dhe secila duhet të dalë më 14 shkurt dhe të japë votën e tij. Ndryshimi po vjen pashmangshëm dhe po vjen fuqishëm. Nuk ka kush që e ndal, as KQZ-ja.