Fjalë Kyçe

Qytetari nga Vitia nën rexhimin e aparatit aspirator: Mos të kemi reduktime të rrymës, jeta ime varet nga energjia elektrike

Qytetari nga Vitia nën rexhimin e aparatit aspirator: Mos të kemi reduktime të rrymës, jeta ime varet nga energjia elektrike

Kriza energjetike në Kosovë duket se po sjellë probleme të shumta te qyetarët. Përveç ngrohjes, si “dëmi” më i madh nga kjo krizë, qytetarët po ballafaqohen me probleme edhe nga aspekti shëndetësor.

Xhemë Rexhepi, nga komuna e Vitisë, po u kërkon drejtuesve të institucioneve në Kosovë që të tregojnë kujdes me ndaljen e rrymës.

Kjo pasi, siç tregon ai, është nën rexhimin e aparatit aspirator, aparat ky që funksionon vetëm me rrymë.

“Jam Xhemë Rexhepi nga fshati Zhiti, Komuna e Vitisë, Republika e Kosovës. Kam qenë pjesëtar i UÇK-së dhe ndihem shumë krenar për këtë, por tash e 13 vite jam i pa levizshëm dhe i shtrirë në shtrat. Jam operuar disa herë, i kam dy kembët e amputuara dhe jam i shpuar në fyt me kanillë trahustome nën rexhimin e aparatit aspirator, i cili aparat funksionon vetëm me rrymë, madje edhe rexhimin e shtratit e kam me rrymë. Jam me plagë shumë shumë të rënda, nën rexhimin e terapisë mjekësore për çdo ditë”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Sipas ish- pjesëtarit të UÇK-së, jeta e tij varet nga energjia elektrike.

“Si përfaqësuses të institucioneve më të larta shtetërore, ju drejtohem që të tregoni kujdes të veçantë ndaj rasteve të tilla që të pakten mos të kemi redukime të rrymës, sepse jeta ime varet nga energjia elektrike, përkatësisht jetën e kam në pikëpytje po nuk pata energji, pavarësisht se vështirësitë i kam maksimale për t’ja dalë nga dita në ditë, por nëse përballem edhe me mungesë të rrymës elektrike, jeta ime është çdo minutë në rrezik”, ka shkruar ai.

“Ju drejtohem publikisht, që të mos përballem me redukime të rrymës dhe të keni kujdes për personat që karakterizohen me gjendje të tilla shëndetësore, meqë jeta ime varet nga prania e energjisë elektrike, në këto ditë të dimërit me oscilime të mëdha temperaturale. Sinqerisht, Xhemë Rexhepi, fshati-Zhiti, KK-Viti !”, ka shtuar Rexhepi, përcjell reporteri.net

Këtë thirrje publike ai ua ka drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi dhe kryetarit të komunës së Vitisë, Sokol Haliti.

Kujtojmë se prej ditësh vendi është duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike. Në shumë zona të vendit, këto reduktime po zgjasin më shumë se dy orë.