Fjalë Kyçe

Radikalizmi, ura që lidh ideologjinë me ekstremizmin dhe terrorizmin!

Radikalizmi, ura që lidh ideologjinë me ekstremizmin dhe terrorizmin!

Në preambulën e kushtetutës së UNESCO-s shkruan: “përderisa luftërat fillojnë në mendjet e njerëzve, janë pikërisht mendjet e njerëzve ku mbrojtja e paqës duhet të ndërtohet”. Pra, shpesh herë , nëse jo ҫdo herë , ҫdo veprim i dhunshëm, para se të jetë veprim, fillimisht ekzistion si ide, bindje apo besim.

Grumbullimi i ideve dhe besimeve të caktuara në lidhje me atë se si duhet rregulluar një pjesë e jetës apo edhe vet jeta në tërësi, njihet si ideologji. Rrjedhimisht, logjikisht, cilado ideologji, qoftë ajo fetare apo politike, sa do e përgjithësuar dhe e avancuar që të jetë, prapëseprapë është e pjesshme. E pjesshme, qoftë në përmbajtje, qoftë në përfshirje, për shkak se, jo të gjithë njerëzit identifikohen apo bëjnë pjesë në atë lloj ideologjie. Kjo është arsyeja pse demokracitë dhe civilizimi perëndimor gjithnjë e ka promovuar dhe e promovon konceptin e diversitetit apo llojllojshmërisë. Respekti për të tjerët që mendojnë dhe besojnë ndryshe nga ne është garantues i paqes dhe prosperitetit.

Mirëpo, koncepti i deversitetit nuk është i pranueshëm për radikalistët. Për shkak se radikalistët nuk shohin alternativë tjetër të drejtë përpos ideologjisë së tyre. Sa më shumë që dikush të jetë i zhytur në ideologjinë e vet, aq më e vështirë bëhet njohja dhe pranimi i prezencë së ideologjive të tjera. Sa më pak që dikush i njehë dhe i pranon ideologjitë e tjera, aq më shumë rritet pozicionimi në ideologjinë e caktuar. Ky lloj cikël, që është kryesisht e karakterit social dhe psikologjik, mund të qoj në radikalizëm. Radikalisti në parim tenton që të përjashtoj versionet e tjera, përveҫ asaj që ai apo ajo beson.

Kur një radikalist ndjenë se grupit apo ideologjisë me të cilën ai identifikohet po u bëhet e padrejtë, kjo përjetohet si padrejtësi ndaj vet personit. Pra, nëse grupi apo ideologjia kërcënohet, vet personi ndjehet i kërcënuar. Për shkak se, në fund të fundit, nëpërmjet ideologjisë njerëzit i japin kuptim simbolik ekzistencës së vet. Prandaj, kur kjo pjesë e identitetit simbolik kërcënohet, njeriu tenton që të mbroj grupin dhe ideologjinë, përkatësisht vetën, qoftë edhe nëpërmjet mjeteve të dhunshme. Ndërkaq, kur dikush e arsyeton dhe përkrah përdorimin e dhunës si mjet për realizimin e bindjeve të caktuara, tashmë kjo konsiderohet si ekstremizëm. Pra, ekstremisti në parim përkrah dhunën në favor të mbrojtjes dhe avancimit të ideologjisë së vet. Ndërkaq, kur një veprim i dhunshëm shkaktohet, dhe ky veprim nuk ka për qëllim të vetëm që të dëmtoj palën e sulmuar, por, mbi të gjitha me anë të atij veprimi synohet që të përhapet frikë tek masa e gjerë e njerëzve, ky fenomen tashmë e arrinë shkallën e terrorizmit.

Pra, terroristi e përdor dhunën për të përhapur frikë tek masa e gjerë, përkatësisht tek ata që mendohet se u përkasin ideologjive të tjera, ndryshe nga ajo në të cilën beson ekstremisti terrorist. Pra, një terrorist, para se të jetë terrorist ka të ngjarë që të jetë ekstremist, ndërkaq, para se të jetë ekstremist ka të ngjarë që të jetë radikalist. Prandaj, radikalizmi është ura që duhet rrënuar, në mënyrë që të pengohet kalimi nga ideologjitë tek ekstremizmi dhe terrorizmi.