Fjalë Kyçe

Radiologjia do të punojë me dy turne për të ulur kohën e pritjes për pacientët

Radiologjia do të punojë me dy turne për të ulur kohën e pritjes për pacientët

Tre deri në katër muaj duhet të presin pacientët që kanë nevojë të bëjnë rezonancë magnetike në Klinikën e Radiologjisë në QKUK.

Për të zvogëluar pritjet, menaxhmenti i kësaj klinike ka vendosur që të punojnë me dy ndërrime. Ndërkohë që pacientët, që kanë pasur terminë gjatë pandemisë kur ky shërbim ka qenë i ndërprerë, janë detyruar t’i ricaktojnë ata.

Drejtori i Klinikës, Bujar Gjikolli, ka thënë se ata po trajtohen gjatë vikendeve dhe presin për terminë rreth dy javë, raporton KOHA.

Pacientëve që u kanë kaluar terminët janë ftuar që të lajmërohen në Klinikë për t’i ricaktuar ato për ditët e vikendit.

“Njoftojmë pacientët që kanë terminët për realizim të procedurave diagnostike në Klinikën e Radiologjisë, se duhet​ të paraqiten sipas terminëve, kurse atyre që iu ka kaluar termini të lajmërohen në klinikë për të caktuar termin të ri”, thuhet në njoftimin e QKUK-së për pacientët e Radiologjisë.

Prapa kamerave, një paciente nga Skenderaj i ka thënë televizionit se terminin për të mërkurën e ka bërë rreth dy muaj para vitit të ri. Por drejtori i Klinikës thotë se për rezonancë magnetike aktualisht pritjet nuk janë më të gjata sesa 2 ose tre muaj, ndërkohë që për shërbimet e tjera ka thënë se nuk ka pritje ose ka pritje të shkurtra.

Gjikolli ka thënë se për shkak të kërkesave të shumta, lista e pritjes për rezonancë magnetike është e pamundur të hiqet.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, përveç shërbimeve në Radiologji kanë qenë të ndërprera të gjitha shërbimet joemergjente.