Fjalë Kyçe

Rafet Prekazi flet pas publikimit të listës së Kombëtares U21

Rafet Prekazi flet pas publikimit të listës së Kombëtares U21

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës U21, Rafet Prekazi, sot, ka dalë në një konferencë për media ku ka bërë publike listën prej 25 futbollistëve, të cilët do t’i ketë në dispozicion për dy ndeshjet e para në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2021, kundër Andorës si mysafirë, më 6 qershor dhe kundër Turqisë, më 11 qershor në Prishtinë.

Fillimisht përzgjedhësi Prekazi ka falënderuar mediat për interesimin e madh dhe vëmendjen që po ia kushtojnë Kombëtares U21, duke e vlerësuar këtë si një përgjegjësi më shumë për të dhe për futbollistët. Sipas tij meritë për këtë ka gjenerata e kaluar e futbollistëve, e cila pati paraqitje shumë të mira në kualifikimet e kaluara të Evropianit, duke krijuar një përshtypje pozitive për Kombëtaren U21.

“Në listën për dy ndeshjet e ardhshme kemi madje 6 lojtarë të vitit 2000, derisa dihet se në këto kualifikime kanë të drejtë loje futbollistët e lindur në vitet 1998 dhe 1999. Ne presim që edhe kjo gjeneratë të japë më të mirën nga vetja. Çdo lojtarë që paraqitet për Kosovën do ta japë maksimumin. Kjo ka qenë moto e gjeneratës së kaluar dhe kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Jam i vetëdijshëm se do të kem telashe sa i përket komponimit të ekipit, por kjo është puna e trajnerit. Paraqitja e mirë e Kombëtares U21 dhe e Kombëtares na e ka lehtësuar punën, ngase tash është më e lehtë të komunikojmë lojtarët dhe t’i sjellim ata në radhët tona”, ka theksuar Prekazi.

Sa i përket objektivit për dy ndeshjet e ardhshme, por edhe në përgjithësi për këto kualifikime, Prekazi ka thënë se synimi i tij është që ta bëjë një ekip sa më kompakt.

“Nuk jam prej trajnerëve që jap deklarata për rezultate para ndeshjeve. Objektivi është komponimi i ekipit. Prapë kërkoj nga ju që t’i mbështesni këta djem sepse ata kanë nevojë për përkrahje. Sidoqoftë, ne duhet ta shohim realitetin. Si shtet i ri ndoshta në letër të gjithë mund të jenë para neve por fusha është diçka tjetër. Kam besim që këta djem do ta japin 200 përqindshin e tyre. Jam i bindur se asnjë kundërshtar nuk do të na nënçmojë sepse kemi talente dhe individualist shumë të mirë, por mbetet të shihet se sa do të arrijmë ta komponojmë ekipin për këtë kohë kaq të shkurtër. Por, besoj se bashkërisht mundemi të shkojmë shkallë-shkallë më lartë”, ka nënvizuar Prekazi.

Ai ka thënë se as lista aktuale nuk është përfundimtare por vetëm për dy ndeshjet e radhës, pas lista e futbollistëve është shumë më e gjerë dhe varësisht prej formës së lojtarëve ata do të ftohen. Po ashtu, Prekazi ka bërë të ditur se për shkak të lëndimeve tre lojtarë që kanë qenë të planifikuar për këto dy ndeshje nuk do të jenë në dispozicion të tij. Bëhet fjalë për Arton Zekajn, Valon Hamdiun dhe Meriton Kastratin. /Gazeta Alo