Pranimi i kërkesës së Qeverisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e raketave anti-tank, Javelin dhe pajisjeve të tjera përkatëse në vlerë prej 75 milionë dollarë, sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, është një fazë e re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes.
Osmani përmes një komunikate për media pas vendimit të SHBA-ve për shitjen e raketave anti-tank ka thënë se tashmë Forca e Sigurisë së Kosovës do të zhvillohet sipas standardeve të NATO-s duke thelluar edhe marrëdhëniet me partnerit strategjik, SHBA-të.
“Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme e FSK-së shprehë mirënjohjen time për institucionet tona të mbrojtjes të cilat për vite me radhë punuan për përmbushjen e kritereve për kualifikim në Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve”.
Ajo ndër të tjera ka falënderuar edhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
“Shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS”.
Osmani në fund është shprehur besimplotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për Kosovën.
“Ky akt do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian”.