Kryeministri Edi Rama prezantoi të shtunën planin e masave për krizën energjitike ku deklaroi se nuk do të ketë rritje të çmimit për furnizim me energji elektrike vetëm për familjet dhe biznesin e vogël.
“Plani ynë i kundërveprimit për krizën e energjisë nuk parashikon rritje të çmimit për familjarët dhe biznesin e vogël dhe nuk parashikon as kufizim”, deklaroi z. Rama.
Kryeministri theksoi se kriza pritet të vazhdojë të paktën deri në verën e ardhshme duke shtuar kriza energjetike është “po aq sfiduese sa pandemia dhe me pasoja monetare ku e ku më të rënda për vendin nëse nuk reagojmë”.
Sipas z. Rama plani për përballimin e krizës përmban tri pika kryesore; garantimin e furnizimit pa ndërprerje, mbrojtjen e familjeve dhe bizneseve të vogla nga rritja e çmimit të energjisë dhe garantimin e mjeteve financiare për blerjen e energjisë.
Kryeministri tha se do të garantohet një fond prej 200 milionë euro, ku 100 milionë do të vihen në dispozicion të kompanisë së shpërndarjes së energjisë në fund të këtij viti ndërsa 100 milionë të tjera do të jenë për garantimin e furnizimit dhe mos rritjen e çmimit për familjet dhe bizneset e vogla në fillim të 2022.
Kryeministri gjatë deklaratës pranoi se Shqipëria e blen më shtrenjtë energjinë elektrike se sa shet. Ai tha se kjo vjen pasi energjia blihet në kohë thatësire dhe shitet në kohë me shumë reshje.
“Shqipëria nuk e prodhon vetë të tërë energjinë që i duhet. Ne e shesim lirë kur i tërë rajoni përreth nuk ka nevojë për energji dhe e shesim për të mos pasur përmbytje. E blejmë shtrenjtë pasi dalim në treg kur nevoja për energji bëhet alarmante për shkak të thatësirës”, tha drejtuesi i qeverisë.
Gjithashtu, Rama pranoi se çmimi i naftës në Shqipëri është më i shtrenjti në rajon duke thënë se kjo vjen për shkak të përfshirjes në çmim të taksës së qarkullimit dhe karbonit.
“Ne nuk e prodhojmë në vend naftën pasi nafta jonë është naftë e rëndë ajo shistet për nënprodukte dhe kryesisht për bitum. Ne importojmë rreth 600 mijë ton naftë në vit për konsum. Është e vërtetë që janë më të shtrenjtë në rajon (nafta dhe benzina) sepse është brenda dhe taksa e qarkullimit ku vendet e rajonit e paguajnë veçmas. Plus taksë karboni”, tha ai. /euronewsal