Fjalë Kyçe

Rama pret që dosjen e 21 janarit ta marrë në dorë SPAK

Rama pret që dosjen e 21 janarit ta marrë në dorë SPAK

Pas një vendimi të Gjykatës së Strasbourg-ut vitin e shkuar, lidhur me çështjen e 21 janarit, duke e etiketuar ngjarjen jo vetëm të pazbardhur, por edhe vrasje të qëllimshme, kryeministri shqiptar, Edi Rama, pret që dosjen ta marrë në dorë Pokuroria e Posaçme SPAK.

Kështu ka deklaruar ai gjatë një përkujtimoreje të zhvilluar në 13-vjetorin e 21 janarit, ditë kjo kur katër protestues u vranë në bulevardin kryesor të Tiranës, gjatë një proteste përballë Kryeministrisë, në kohën që Sali Berisha ka qenë kreu i Qeverisë në vend.

Sipas Ramës, ky përvjetor është i veçantë pasi nuk karakterizohet vetëm nga shpresa, por edhe nga drita në fund të tunelit, që Strasbourgu dha për këtë çështje.

Më 27 shkurt, pritet që Gjykata e Larta ta marrë vendimin për t’ia kaluar apo jo SPAK-ut dosjen voluminoze të 21 janarit.

Teksa, Gjykatën e Tiranës, në të cilën kjo çështje është gjykuar më parë, kryeministri e ka quajtur “pa shtyllë kurrizore” dhe si pjesë të drejtësisë së vjetër.

Por, për Ramën, ashtu si edhe për familjarët e viktimave të 21 janarit, drejtësia dhe përgjegjësit kryesorë të ngjarjes do të mbahen përgjegjës, duke vendosur kështu drejtësinë në vend më në fund.

Në mbyllje të fjalës, Rama e përsëriti sërish një mesazh, në lidhje me vonesat që sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka sjellë.

“Ky është një nga rastet kur drejtësia nuk vjen dot kurrë shpejt. Por nuk harron kurrsesi që të vijë”, përfundoi ai.

Më tej, së bashku me familjarët e viktimave, ashtu si çdo vit, përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Qeverisë përkujtuan viktimat, duke vendosur lule në katër pllakat e bronzta të vendosura në bulevard në pikat ku Aleks Nika, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedaj, u qëlluan teksa protestonin.