Fjalë Kyçe

Rama-Zelenskyt: Historia e Kosovës na ndihmon ta kuptojmë dhimbjen tuaj

Rama-Zelenskyt: Historia e Kosovës na ndihmon ta kuptojmë dhimbjen tuaj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se historia e afërt me shqiptarët e Kosovës që u shpërngulën dhunshëm nga trojet e tyre dy dekada më parë, i ndihmon qytetarët e Shqipërisë që ta kuptojnë dhimbjen që po e përjeton Ukraina.

Rama e ka bërë këtë deklaratë të martën, në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, gjatë të cilës presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu drejtua deputetëve të Shqipërisë përmes video-lidhjes.

“Historia jonë e afërt ku gjysmë milionë shqiptarë u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik nga trojet e tyre në Kosovë dhe gjetën strehën në Shqipëri, na ndihmon ta ndjejmë nga larg dhimbjen e Ukrainës”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se Shqipëria dhe vendet e tjera ku ka shqiptarë, duke përmendur këtu në mënyrë të veçantë Kosovën, janë rreshtuar krah Ukrainës me zemër dhe mendje.

“Qysh prej orës së parë të agresionit mbi Ukrainë, tërë Shqipëria dhe gjithë shqiptarët, përfshirë edhe Kosovën jemi rreshtuar krah jush me zemër, me mendje dhe me gjithçka kemi mundur. Shqipëria mund të jetë e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj në tryezën e NATO-s apo në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Rama duke bërë të ditur se Shqipëria do të marrë pjesë në konferencën e donatorëve për Ukrainën në Varshavë që do të mbahet më 5 maj.