Fjalë Kyçe

Ramadani: Hedhja e përgjegjësisë nga njëri institucion te tjetri ka dëmtuar situatën me COVID-19

Ramadani: Hedhja e përgjegjësisë nga njëri institucion te tjetri ka dëmtuar situatën me COVID-19

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka thënë se situata me COVID-19 dhe përballja me të është dëmtuar më së shumti nga hedhja e përgjegjësisë prej një institucioni në tjetrin.

Në Interaktiv të KTV-së, Ramadani ka thënë se hedhja e përgjegjësisë nga njëri-institucion te tjetri, në kohën kur në Kosovë kishte shifra alarmante të rasteve të reja me COVID-19, kishte bërë që në vend të krijohej perceptimi se çka do që të bëhej në parandalim të virusit, do të ishte gabim.

“Nëse flasim për terminologji të caktuara, që mund të quhen si nocione gabim, mosmarrje të përgjegjësisë, e kështu me radhë, mund të flasim tërë natën dhe të gjuajmë topin nga njëri institucion në tjetrin e prej njërit individ në tjetrin. Kjo e ka dëmtuar më së shumti situatën. Çdo herë kur një palë, një qytetar, një grupacion, një institucion apo çka do qoftë tjetër, aludon se dikush po gabon gjithnjë, atëherë në perceptimin psikologjik dhe analitik të mendjes së njeriut krijohet përshtypja se paska njerëz të gabueshëm. Atëherë ka vend edhe për sulme, nëse ka vend edhe për sulme, do të ketë vend edhe për pakënaqësi. Atëherë ne nuk do të jemi të kënaqur, do të kalojmë në pesimizëm, s’do të merremi me përgjegjësinë e secilit që na përkasin këtu e të merremi me të tjerët”, ka thënë fillimisht ai.

Sipas tij, vlerësimi varet nga këndvështrimi që merr vlerësuesi, por Ramadani ka vlerësuar se në vend është bërë punë “kolosale” nga të gjithë.

Aktualisht në Kosovë janë 1359 raste aktive me COVID-19. Deri tash në vend janë regjistruar 15663 raste pozitive, me 627 persona që kanë vdekur. 13677 persona janë shëruar.