Fjalë Kyçe

Ramadani: Në prag të finales, klubi i bashkuar si një familje e madhe

Ramadani: Në prag të finales, klubi i bashkuar si një familje e madhe

Feronikeli do të përballet me skuadrën, Santa Coloma, në kuadër të finales së mini-turneut, të preliminareve të UEFA Champions League.

Ndeshja që do të zhvillohet të premten në “Fadil Vokrri”, ka marrë jo pa të drejtë vëmendje të madhe, pasi që është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për Feronikelin, por edhe për futbollin e Kosovës.

Për këtë takim, për feronikelifc.com ka folur edhe kryetrajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, i cili tha se në prag të ndeshjeve preliminare të Champions, klubi është i bashkuar si një familje e madhe.

“Kemi atmosferë të mirë në klub, ka pothuajse një javë që jemi vendosur në Hotel Emerald, ku kemi qëndruar së bashku si një familje e madhe”, tha fillimisht Ramadani.

I pyetur nëse ka pasur kohë të mjaftueshme për rikuperim, trajneri u deklaruar më se optimist.

“Kushtet janë mese perfekte për rikuperim, e falënderoj Kryetarin e klubit, z. Ramaj, për këto mundësi, koha është e shkurtër, por në këto kushte mendoj se është më shumë se e mjaftueshme për rikuperim të futbollistëve”, vazhdoi ai.

Në ndeshjen ndaj Lincoln Red Imps, Hoti ishte njeriu që shënoi golin e vetëm, por për fat të keq, ai nuk mundi ta përfudojë takimin shkaku i një lëndimi që mori.

“Hoti e ndjen ende lëndimin, mirëpo është ende herët për të dhënë një konstatim. Sidoqoftë kemi bërë rezonancën magnetike dhe presim rezultatet për të parë shkallën e lëndimit. Ai sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë i gatshëm në finalen ndaj Santa Coloma”, theksoi Ramadani.

Trajneri gjithashtu theksoi që janë munduar të gjejnë pikat e dobëta dhe ato të forta të kundërshtarit dhe komentoi edhe atmosferën e ndeshjes së parë, ndaj Lincoln Red Imps.

“Kemi analizuar gjysmëfinalen e që e fitoi Santa Coloma dhe jemi munduar ti gjejmë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit në fitoren e këtyre të fundit ndaj Tre Penne”

“Ndërsa sa i përket ndeshjes së parë të UEFA Champions League ndaj Lincoln, mendoi që ndikoi presioni i ndeshjes së parë në arenën ndërkombëtare, por gjithashtu mos të harrojmë që përballë kishim një ekip shumë të fortë. Mendoj që na ndihmon fakti që luajmë në Kosovë, jemi para tifozëve tanë, në një ambient ku jemi mësuar të luajmë, kjo gjë sjell shumë të mira për ekipin tanë”, përfundoi kryetrajneri i Feronikelit.

Feronikeli fitoi takimin e parë historik të klubit në kuadër të UEFA Champions League, duke mposhtur Lincoln Red Imps, me rezultat 1-0, ndërsa tani pret skuadrën e Santa Colomas.

Ndeshja zhvillohet të premten, me fillim prej orës 20:45, në “Fadil Vokrri”, të Prishtinës.