Fjalë Kyçe

Ramadani, trajner i Skënderbeut?

Ramadani, trajner i Skënderbeut?

Pavarësisht situatës në të cilën ndodhet klubi bardhekuq, duket se vëmendja është e përqendruar edhe në merkato.

Në kushtet në të cilat ndodhet ekipi, duket se merkatoja është gjëja e fundit që shkon ndërmend, por drejtuesit e Skënderbeut nuk kërkojnë ta lënë pas dore edhe këtë pikë të rëndësishme për sezonin e ri.

Ekipi momentalisht po përgatitet nën urdhrat e Gentian Liçit dhe Ilir Bozhiqit, por prezenca e një trajneri të parë duket se është thelbësore edhe për përgatitjen për sezonin e ri. Për këtë çështje, drejtuesit e klubit bardhekuq po mendojnë për alternativat e mundshme për numrin një të ekipit.

Ditët e fundit, duke parë edhe situatën që është jo e favorshme, në radhët e bardhekuqve ka dalë një emër i ri për sa i përket drejtimit të ekipit, shkruan “Panorama Sport”.

Sipas asaj që raportojnë edhe mediat maqedonase, bisedimet kanë filluar me trajnerin Zekeria Ramadani. Trajneri nga Shkupi, një njohje e vjetër e kampionatit tonë, mund të marrë drejtimin e Skënderbeut duke filluar nga ky sezon. Nga sa konfirmojnë dhe burime të gazetës, Zekeria Ramadani dhe drejtues të klubit korçar kanë pasur kontaktet e para gjatë fundjavës së kaluar për të arritur marrëveshje një bashkëpunimi.

Klubi sheh te Ramadani një alternativë të mirë për të marrë drejtimin e ekipit, duke parë edhe faktin se për momentin Ramadani është pa ekip pas largimit nga Feronikeli në Kosovë, ekip të cilin e drejtoi në eliminatoret e Europa Ligës ku u eliminua nga Slovan Bratislava. Pavarësisht se ende gjithçka mbetet në kuadrin e bisedimeve, Ramadani mbetet një emër mjaft i lakuar për të qenë në krye të ekipit të Ardjan Takajt.

Ajo që e bën më të mundshëm këtë bashkëpunim, ka të bëjë me faktin se Ramadani e njeh mirë futbollin shqiptar pasi më herët, 41-vjeçari nga Shkupi ka drejtuar edhe Flamurtarin në sezonin 2015- 2016, ndërsa ka fituar titullin kampion në Kosovë fillimisht me Trepça ’89 dhe më pas me Feronikelin.