Fjalë Kyçe

Raporti i “Freedom House 2022”: Korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në Kosovë

Raporti i “Freedom House 2022”: Korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në Kosovë

Kosova ka shënuar ngritje të përgjithshme në raportin e organizatës amerikane “Freedom House” për vitin 2022, por disa nga ngecjet që përmenden aty është luftimi i korrupsionit në nivele të larta dhe pavarësia e gjyqësorit.

Raporti i Freedom House thekson se ndërhyrja politike në gjyqësor mbetet akoma një problem shumë i madh e po ashtu edhe korrupsioni i përhapur në gjyqësor që ndikon negativisht në pavarësinë e tij.

Raporti thekson se prokurorët dhe gjykatat mbeten të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve politike dhe korrupsionit nga elitat e fuqishme politike dhe të biznesit, duke minuar kështu procesin e rregullt ligjor.

Sipas këtij raporti, korrupsioni dhe kapja e shtetit janë të përhapura dhe kuadri institucional për t’i luftuar ato është i dobët.

“Autoritetet kanë treguar pak përkushtim për ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe kur zyrtarët e lartë ndiqen penalisht, dënimet janë të rralla.

Gjatë gjithë vitit 2021, qeveria e sapozgjedhur Kurti ndoqi disa reforma që synonin të luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar; administrata u angazhua për krijimin e mekanizmave të rinj të verifikimit gjyqësor dhe propozoi hartimin e legjislacionit që do t’i mundësonte qeverisë të konfiskonte “pasuritë e fituara në mënyrë të pajustifikueshme”, thekson tutje raporti.

Në raportin e organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, i publikuar të mërkurën, Kosova radhitet sërish në grupin e qeverisjes hibride/demokraci tranzicionale. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, sipas raportit të sivjetmë, Kosova shënoi një përparim nga 3.14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25.