Në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian sot është diskutuar draft-raporti për Kosovën, ku janë paraqitur shumë ngecje në luftën kundër korrupsionit në Kosovë.
Lufta kundër korrupsionit është vënë më së shumti re në këtë raport, ndërsa theksohet shqetësimi i madh i PE-së për shuarjen e Task-Forcës brenda Policisë së Kosovës për luftën kundër korrupsionit.
Ndërsa, teksa është mirëpritur përkushtimi i Kosovës në avancimin drejt Evropës në këtë raport Kosova kritikohet për progresin e paktë në implementimin e Agjendës për Reforma Evropiane. Janë shprehur shqetësime edhe për shuarjen e Ministrisë për Integrim dhe është kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të sigurohet se strukturimi i ri garanton kompetencë e përgjegjësi në kuadër të koordinimit të procesit të integrimit.
Po ashtu Raportin për Kosovën është mirëpritur edhe korniza ligjore për luftimin e korrupsionit, por janë hasur ngecje në implementim. Autoriteteve të Kosovës u është kërkuar të përforcojnë luftën kundër korrupsionit për të garantuar mirëqenie për qytetarët. Për sistemin e drejtësisë është kërkuar të ketë më shumë pavarësi e të ndalet ndërhyrja në rastet e profilit të lartë. Është kërkuar luftë më e madhe në konfiskimin e pasurisë së fituar jashtëligjshëm.
Një shqetësim tjetër është cekur edhe ndotja e madhe e ajrit, si dhe mungesa e shpeshtë e kuorumit në Kuvendin e Kosovës.
Në anën tjetër, është përshëndetur heqja e tarifës ndaj mallrave serbe dhe atyre që vijnë nga Bosnja e Hercegovina, ndërsa është vlerësuar edhe Marrëveshja për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më shtator në Washington.
Ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave, mungesa edhe pse kushtet janë përmbushur.
Në Raportin për Kosovën, PE-ja ka përsëritur se dialogu me Serbinë është prioritet dhe parakusht për pranim në Bashkimin Evropian. Është kërkuar angazhim konstruktiv në dialog në kërkim të një marrëveshjeje ligjërisht obliguese.