Fjalë Kyçe

Rashica pritet ta mbyllë sezonin te Werderi

Rashica pritet ta mbyllë sezonin te Werderi

Milot Rashica nuk pritet të largohet nga Werder Bremeni këtë muaj sipas trajnerit të skuadrës, Florian Kohfeldt.

Për 24-vjeçarin është folur shumë se do të largohet nga “Weserstadion”, madje ishte shumë afër t’i bashkohej Bayer Leverkusenit në tetor, por transferimi i tij u ndal në ditën e fundit të afatit kalimtar.

Më pas, pati spekulime se reprezentuesi i Kosovës do të largohet nga skuadra në muajin janar, por Kohfeldt e mohon një gjë të tillë.

“Për mua nuk ka shenja se ai nuk do të jetë në formacionin titullar të martën”, u ka thënë gazetarëve Kohfeldt, duke iu referuar takimit të Werderit në Kupën e Gjermanisë kundër Greuther Furthit. Ai duel do të luhet javën tjetër.

“Ka pasur pyetje për Milotin të cilat ndonjëherë kanë kaluar te ne nëpërmjet menaxherit të tij, por nuk kemi pasur në tavolinë ofertë konkrete të shkruar për të cilën do të mendonim në javët e kaluara”, shtoi Kohfeldt.

Rashica u kthye nga lëndimi i muskulit më herët gjatë këtij muaji.

Bremeni do të ishte i gatshëm për të biseduar për shitjen e sulmuesit të Kosovës vetëm nëse oferta për blerjen e tij do të ishte më e madhe se 15 milionë euro. Nëse askush nuk ofron diçka të tillë deri ditën e hënë, Rashica do ta mbyllë sezonin në Werder Bremen. Të hënën mbyllet afati kalimtar dimëror.

Rashica mund të luajë edhe të shtunën kundër vendit të fundit në tabelë, Schalkes. Trajneri Kohfeldt ka thënë se ai aktualisht është i gatshëm për 60 deri në 70 minuta lojë.