Milot Rashica ishte një nga futbollistët më të rëndësishëm për Verder Bremenin në këtë sezon. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, këtë sezon provoi se ishte adaptuar në futbollin gjerman, ndërsa në repartin ofensiv shkëlqeu me gola dhe asiste.
Së fundmi, Rashica ka dhënë një intervistë për revistën ‘Kicker’, teksa zbulon se në fillim nuk i ka pëlqyer nofka “Raketa”, megjithatë me kalimin e kohës është mësuar.
Rashica, tashmë tregon se të gjithë e thërrasin në këtë mënyrë, duke përfshirë edhe trajnerin e Verderit. Ndërkohë, sulmuesi ka treguar se për momentin nuk sheh arsye për t’u larguar.
“Nuk e di kush e filloi këtë gjë, për të më thërritur “Raketa”. Në fillim nuk më pëlqente, por me kalimin e kohës ka nisur të më pëlqej. Kam kontratë me Verder Bremen dhe ndihem mirë këtu. Nuk shikoj arsye për t’u larguar. Të ardhmen e mendoj vit pas viti. Dua të shënoj sa më shumë dhe të bëjë sa më shumë asiste të jetë e mundur. Dua të jap më të mirën për të prekur Europën”, tha Rashica.
Në fund, 23-vjeçari foli edhe për largimin e shokut të repartit të sulmit, Kruse, për të cilin tha se ishte i rëndësishëm, megjithatë në skuadra ka lojtarë të mirë. Në këtë formë, këtë sezon Rashica do të ketë më shumë përgjegjësi në ekip.