Fjalë Kyçe

Rashkaj flet për trajnerin Giresse, ka një këshillë për ekipin e Kosovës

Rashkaj flet për trajnerin Giresse, ka një këshillë për ekipin e Kosovës

Dy ndeshjet e para të Alain Giresse si trajner i Kosovës shkuan mjaft mirë.

Kosova fitoi 5:0 ndaj Burkina Fasos dhe barazoi 1:1 me Zvicrën në dy ndeshjet miqësore të muajit mars.

E, këto dy ndeshje sipas Anel Rashkajt janë sinjale të mira.

Ish-kapiteni i Kosovës tha se trajneri i ri ka një karrierë të madhe si lojtar dhe po ashtu një CV të mirë edhe si trajner.

“Edhe pse është herët të bëhet ndonjë analizë më e gjerë, mendoj se ka dhënë sinjale të mira. Ka një karrierë të madhe si lojtar dhe një CV të mirë si trajner dhe shpresojmë që kjo do të ndikoj pozitivisht”, tha fillimisht Rashkaj për Express.

Rashkaj, i cili u pensionua nga kombëtarja vitin e kaluar, theksoi se Kosova duhet të luajë si ekip me mençuri dhe kujdes, në mënyrë që të arrihen rezultate të mira.

“Kosova duhet të luajë si ekip me mençuri dhe kujdes që të nxirren edhe rezultatet, por besoj që kemi tash një përvojë të mirë nga këto vitet e fundit dhe besoj që do të na ndihmoj të marrim rezultate pozitive”, përfundoi Rashkaj.

Kosova në qershor e nis sezonin e ri të Ligës së Kombeve, teksa gjendet në grupin e dytë në Ligën C, së bashku me Qipron, Irlandën Veriore dhe Greqinë.