Koment redaksional i Gazetës Alo
Rasti i abuzimit seksual të vajzës së mitur në Drenas nga profesori i saj dhe pastaj edhe nga zyrtari policor, është më shumë se skandaloze. Kjo tregon se mekanizmat e kontrollit te disa prej institucioneve që kanë punë me palë të treta duhet të jenë shumë më të theksuara. Po ashtu edhe rrethi shoqëror duhet të jetë më i emancipuar dhe nuk duhet të tolerojë dhe të fsheh rastet e tilla. Kur ndodhin rastet e tilla, zakonisht alarmohen grupime të ndryshme, si shoqëria civile apo edhe politikanët si vendimmarrës, dhe është e mirë kjo shkallë sensibilizimi. Por, raste si ky i Drenasit janë vetëm maja e ajsbergut e një fenomeni aq të përhapur. Ne kur shohim një film apo lexojmë një roman, tronditemi jo vetëm për atë që iu ndodh personazheve aty, por edhe fakti se e njëjta mund të na ndodh neve, mund t’i ndodhë një e keqe e ngjashme më të dashurve tanë.
Por, ngjarje të tilla duhet të na këndellin t’i shohim jo vetëm ato raste eklatante dhe të reagojmë me eufori siç e kemi zakon, por të reagojmë për çdo rast abuzimi. Ne shpesh i shpërfillim ngacmimet e ndryshme që ndodhin në rrugë, qoftë ndaj vajzave të mitura apo edhe atyre të rritura. Është e vërtet që abuzimi me vajza të mitura është e patolerueshme dhe me ligj është e padënueshme, por nuk duhet të harrojmë se edhe vajzat e rritura apo edhe gratë e martuara mund t’i vihen në situata të tilla shantazhuese kur detyrohen të bëjnë diçka jashtë vullnetit të tyre.
Ne shpesh i lexojmë raportet ditore të policisë kur X personi ka shantazhuar një femër me publikimin e fotografive apo videove me përmbajtje të papërshtashme në internet, në këmbim të parave apo duke i kërkuar si favor kryerjen e marrëdhënieve intime. Në raste të tilla, drejtësia do të duhej të ishte e pamëshirshme dhe t’i dënojë me dënimin maksimal që e parasheh ligji.
Kur ndodhin raste të tilla ekstreme si ky i fundit në Drenas, sheh në rrjetet sociale kërkesa për shtet më të fortë ligjor, madje edhe i thurin elozhe diktaturave të kaluara. Por, shtrohet pyetja sa duhet të jetë ligji i ashpër. Nuk është çështja e ligjit të butë, por e mungesës së zbatimit të ligjit. Në radhë të parë është e nevojshme forcimi i mekanizmit të inspektoratit si në polici, në arsim, në shëndetësi apo edhe në fusha të tjera që kanë të bëjnë me palë. Veçanërisht në polici duhet të ndërtohet institucioni i mirëbesimit, ku palët që ankohen të jenë të sigurta. Ndodh që edhe gratë e martuara kur ankohen për dhunë në familje, trajtohen në mënyrë të padinjitetshme nga institucionet që janë të thirrua për të mbrojtur viktimat. Kështu kur një grua shkon në stacion policor, ajo shihet me një sy të keq e nëse qëllon ndonjë polic pa integritet sikurse ai në Drenas ndodh që të bëhet edhe një herë viktimë e abuzimit.
Por, mentaliteti i shantazhit është instaluar edhe në institucione të tjera si në universitet, apo në vendet e punës në kompani private, apo edhe në kompani publike dhe institucione shtetërore. Gratë i nënshtrohet një abuzimi verbal e fizik nga shefat e tyre në kompaninë ku punojnë, apo edhe nga eprorët në ndërmarrje publike dhe në administratë të shtetit. Ligji duhet të vlejë për të gjithë pa përjashtim. Edhe pronarët e kompanive private kanë detyrime njëlloj kur është në pyetje respektimi i kodit etik në punë dhe çdo abuzim duhet të denoncohet njëlloj. Por, arsyetimi që i bëjmë ne se askush nuk po të shtyn me zor të punosh, është një argument shumë prapanik që vazhdon ta përcjell shoqërinë tonë. Edhe në qytet, më ka rënë kur një i ri rrah me shuplaka të dashurën e tij. Edhe kjo nuk duhet të tolerohet nga rrethi dhe nga shoqëria. Trajtimi i gruas apo të dashurës si pronë e tij duhet të hiqet nga mendja e meshkujve. Por derisa burrat të mbledhin mend, gratë duhet të bëhen më të fuqishme, më të zonjat e vetes dhe të denoncojnë edhe rastet më të vogla. Për këtë duhet që edhe prindërit të ndërtojnë më shumë komunikim me fëmijët e tyre dhe të tregojnë për atë që u ndodh në rrugë e gjetiu dhe të mos i lënë të vetmuar në raste të tilla.
Edhe kur eprorët në administratë të shtetit të cilët janë ngritur në detyrë nga politika dhe me dallavere të tjera përdorin fjalor banal në prani të kolegeve të tyre që janë gra të burrave të tjerë dhe nëna të fëmijëve, duhet të denoncohen dhe të ndëshkohen jo vetëm me humbje të vendit të punës, por edhe me burg. Ne nuk duhet ta arsyetojmë dhunën në asnjë mënyrë. Institucione si shkollat, policia, spitalet, por edhe institucione të tjera duhet të jenë institucione ku respektohet në maksimum kodi etik.
Në bazë të asaj që shohim për rastet e ngjashme në botë, ndodh që persona me prirje të tillë kriminale që janë përdhunues të grave apo vajzave të mitura, ndodh të dinë të maskohen dhe të shfaqen si njerëz të sjellshëm dhe shumë të pafajshëm. Në raste të tilla, është i vështirë edhe identifikimi i tyre para se të bëhet vonë. Por, kur ndodhin raste të abuzimeve ku shoqëria di për to, dhe gjejmë lloj-lloj arsyetimesh si ato ‘vetë e ka lyp ajo’, apo s’ka faj X-burri se gjoja e ka provokuar vajza apo gruaja, atëherë ne në fakt jemi bashkëfajtor në këtë fenomen. Ne po i ndihmojmë atëherë këta përdhunues me arsyetime të tilla, e që nesër viktima të tyre mund të jenë gratë tona, motrat tona, vajzat e djemtë tanë.
Andaj nga sot, mund të bëhesh sikur s’ke parë e sikur s’ke dëgjuar kur ndodh ndonjë rast i ngjashëm në rrethin tënd, por nëse vërtet dëshiron që raste të tilla të mos përsëriten atëherë mënyra më e mirë është denoncimi. Nuk është fjala vetëm për raste eklatante si ky i fundit, por ngacmim është edhe një koment joadekuat ndaj koleges tënde të punës, ndaj shoqes tënde të klasës, apo ndaj fqinjës tënde që është duke shkuar në punë, në pazar apo në aheng, s’ka rëndësi se ku. Ne nuk duhet të bëjmë sikur po skandalizohemi vetëm në këtë jetën virtuale në internet, kurse në jetën reale të vazhdojmë të themi ‘mirë ia ka bërë’. Deri tani si shoqëri duhet ta themi se më shumë kemi qenë në anën e keqbërësit e më pak në atë të viktimës. Në radhë të parë ne si shoqëri kemi nevojë të bëhemi të vërtetë, të dimë vetë se çka duam. Në shoqëri gjithmonë do të ketë keqbërës si rasti i profesorit, i policit dhe i mjekut në Drenas, por ne si shoqëri duhet të kujdesemi që ata të ndëshkohen me ligj. Shteti pra duhet të bëjë punën e vet, por edhe ne si shoqëri duhet ta ndihmojmë shtetin në raste të tilla.