Ish-oficeri amerikan, Derek Chauvin, u dënua me 22 vjet e pesë muaj burg për vrasjen e afro-amerikanit, George Floyd.
Mediet ndërkombëtare kanë publikuar momentin teksa Chauvin, dëgjon vendimin për dënimin e tij.
Gjykatësi Peter Cahill shpalli vendimin e tij për të dënuar ish-oficerin me 270 muaj burg, ose 22 vjet e pesë muaj, transmeton Telegrafi.
Ai përmendi “abuzimin e pozitës së besimit dhe autoritetit” të Chauvin si dhe “mizorinë e veçantë të treguar ndaj George Floyd”.
George Floyd, 48-vjeçar, vdiq pasi Chauvin ia vendosi gjurin në qafë për më shumë se nëntë minuta, jashtë një dyqani, ku ai kishte blerë cigare.
Vrasja e tij shkaktoi protesta globale kundër racizmit dhe brutalitetit të policisë.
Chauvin, 45-vjeçar, u dënua për vrasje të shkallës së dytë dhe akuza të tjera, muajin e kaluar. Gjatë gjykimit të tij, avokati i tij e përshkroi vrasjen “si një gabim të bërë me mirëbesim”.
Prokurorët kishin kërkuar një dënim me 30 vjet burg.