Fjalë Kyçe

Rasti “Posta”, biznesmeni Blerim Devolli thotë se është kompensuar për dëmin e shkaktuar si pasojë e mosekzekutimit të kontratës nga PTK

Rasti “Posta”, biznesmeni Blerim Devolli thotë se është kompensuar për dëmin e shkaktuar si pasojë e mosekzekutimit të kontratës nga PTK

Dëshmitari, biznesmeni Blerim Devolli ka thënë se tashmë nuk e ndjen veten të dëmtuar si pasojë e mosekzekutimit të kontratës nga PTK, meqë sipas tij, dëmin e kanë realizuar në kontest juridiko-civil.Këtë deklaratë, dëshmitari Devolli e ka dhënë në seancën e rigjykimit ndaj tre ish-drejtuesve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

“Ne e kemi kry në arbitrazh dhe nuk jemi të dëmtum në këtë moment. Dëmin që e kemi pas e kemi realizu në kontest civil, andaj në këtë proces nuk e ndjej vetën të dëmtuar”, deklaroi Devolli.

Ndërsa në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Kujtim Krasniqi se a ka qenë i dëmtuar në kohën e mosrealizimit të kontratës, dëshmitari tha se po.Derisa në pyetjen e gjykatësit Lutfi Shala, lidhur me qëllimin e mosekzekutimit të kësaj kontrate, dëshmitari deklaroi se nuk e di nëse ka pasur ndonjë qëllim për mosekzekutimin e saj.

“A keni pas ndonjë takim rreth implementimit të kësaj kontrate” ishte pyetja e gjykatësit Shala ku dëshmitari tha se me menaxhmentin e PTK-së ishte takuar në nënshkrim dhe më pas dy herë me Shyqeri Haxhin dhe Agron Mustafën.Devolli tha se me të akuzuarin Mustafa janë munduar të gjejnë një marrëveshje mirëpo nuk kanë pasur mundësi.

Teksa po përgjigjej pyetjeve të prokurorit Naim Abazi, dëshmitari tha se është aksionar i kompanisë “Dardafon” me 90% të aksioneve.“Cili ka qenë qëndrimi juaj lidhur me çështjen që është ngritur në gjykatën e arbitrazhit” ishte pyetja e prokurorit, për të cilën, Devolli deklaroi se ka kërkuar realizimin e të drejtës së tij që rridhnin nga kontratat.Ai deklaroi se ka qenë i njoftuar edhe për vendimin përfundimtarë të gjykatës.“A e ka përmbushur në tërësi PTK obligimet që kanë rrjedhur nga vendimi i arbitrazhit?” ishte pyetja e prokurorit, ku Devolli deklaroi se ende jo, mirëpo është duke u bërë ekzekutimi në bazë të marrëveshjes për 24 muaj.

“Betimi për Drejtësi” është duke monitoruar seancën, ku pas pak pritet të administrohen provat materiale.

Sipas aktakuzë së ndryshuar në seancën e 20 majit 2021, Ejup Qerimi nga shkurti 2012 e deri në tetor 2014, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, me qëllim që ti shkaktoj dëm PTK-së duke mos e zbatuat kontratën e lidhur me Z-Mobile të datës 16 janar 2009.Për shkak të kësaj, sipas PSRK-së kishte ardhur deri tek vonesa në lifterimin e sim-kartelave, duke mos e furnizuar operatorin “Dardafon.net L.L.C”, (Z-Mobile) me bllokun e numeracionit, edhe pse nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ishte marrë vendim për rezervimin e serisë se numeracionit 045 për përdorim nga Z-Mobile.

Mirëpo sipas PSRK-së, Qerimi me dashje dhe duke qenë në dijeni kishte refuzuar që ti zbatojë këto vendime të plotfuqishme, ku si rezultat i kësaj procedura ishte zhvilluar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, e cila gjykatë e kishte vlerësuar përgjegjës PTK-në.Për këtë, Telekomi i Kosovës ishte detyruar që Z-Mobile t’ia paguajë shumë 32,856,407.28 euro, pa i llogaritur shpenzimet e krijuara lidhur me procedurat gjyqësore.Edhe i akuzuari Agron Mustafa sipas aktakuzës së ndryshuar, po dyshohet se nga 23 shkurti 2015, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, deri në fillim 2018, nuk e kishte zbatuar vendimin e ARKEP-it për rezervimin e serisë së numeracionit 045 për Z-Mobile dhe nuk e kishte parandaluar inicimin e procedurën pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Ndërsa Rexhë Gjonbalaj sipas kësaj aktakuze, nga 16 janari 2009, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, nuk kishte marrë asnjë vendim për përmbushjen e obligimeve sipas vendimit të ARKEP-it edhe pse nga përfaqësuesit e Z-Mobile dhe nga drejtorit menaxhues Milot Gjikolli, i ishte tërhequr vërejtja se nëse përmbushen obligimet e dëmtuara çështjen do ta dërgoj në Arbitrazh.Për këto veprime, tre të akuzuarit po dyshohen se kanë krye veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga nenin 422, paragrafi 1, i Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, aktakuza në këtë rast ishte ngritur me 17 gusht 2018, ndërsa seanca fillestare ishte mbajtur me 27 shtator 2018, ku tre të akuzuarit kishin mohuar në tërësi aktakuzën e PSRK-së, ndërsa me 7 nëntor 2018 kishin kërkuar që të hudhet kjo aktakuzë.Këto kërkesa të tyre i kishte marrë për bazë edhe gjykatësi i këtij rasti, Lutfi Shala i cili në dhjetor 2018 e kishte hudhur poshtë këtë aktakuzë, me pretendimin se nuk ishte vërtetuar se të akuzuarit kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.Por, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e PSRK-së, të ushtruar ndaj këtij aktvendimi, duke vlerësuar se kjo çështje duhet të gjykohet.Pas tetë seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 21 tetor 2019, me arsyetimin se nuk kishte pasur prova të besueshme, i kishte liruar nga akuzat tre ish-drejtuesit e PTK-së.

Sipas gjykatësit Shala, gjykata kishte gjetur se të gjitha provat e propozuara nga PSRK-ja, si dëshmitar, e po ashtu edhe provat tjera materiale vetëm kanë konstatuar ekzistimin e një marrëdhënieje kontraktuale juridiko-civile dhe asgjë më shumë.

Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi lirues, ankesë kishte paraqitur PSRK, për shkak të pretendimeve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar që ky aktgjykim të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Këto pretendime të PSRK-së i kishte marrë për bazë Gjykata e Apelit e cila në maj të vitit 2020, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim. /BetimipërDrejtësi