Fjalë Kyçe

Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë pritet të mbahet më 10 maj

Raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë pritet të mbahet më 10 maj

Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti i Shqipërisë, maj 2022

Procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë, do të nisin zyrtarisht të mërkurën (4 maj).

Konferenca e Kryetarëve do të diskutojë dhe përcaktojë datën e raundit të parë të votimit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit shqiptar, raportoi “Euronews Albania” të hënën.

Partia Socialiste ka propozuar 10 majin si datë për zhvillimin e një seance të posaçme, ndërsa Partia Demokratike ende nuk është deklaruar për caktimin e një date.

Nëse në raundin e parë asnjë prej kandidatëve nuk do të marrë 84 vota, jo me vonë se shtatë ditë vijohet me raundin e dytë, i cili kërkon po aq vota sa i pari.

Palët kanë mundësi të votojnë një emër konsensual deri në raundin e tretë, në të kundërtën shumica parlamentare mund ta zgjedhë e vetme me 71 vota në raundin e katërt dhe të pestë.

E gjithë procedura e zgjedhjes së presidentit të ri pritet të përmbyllet brenda muajit maj.

Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë që presidenti i ri të jetë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Po ashtu, ka përjashtuar edhe emrin e Vali Bizhgës, drejtoreshës së kabinetit në Kryeministri, të cilën e ka përmendur ish-kryeministri Sali Berisha.