Fjalë Kyçe

Reagon edhe Këshilli për Sport, thotë se po e trajton çështjen e kurdisjes së ndeshjeve

Reagon edhe Këshilli për Sport, thotë se po e trajton çështjen e kurdisjes së ndeshjeve

Pas shpërthimit të skandalit të kurdisjeve të zbuluara nga autoritetet franceze dhe të transmetuara më pas nga mediat franceze, sot ka nisur reagimi i autoriteteve përgjegjëse në Kosovë.

Këshilli për parandalimin e dhunës dhe dukurive tjera negative në sport, e ka marrë me shqetësim këtë lajm, ndërsa e ka lëshuar një komunikatë për shtyp pas mbledhjes së sotme.

I drejtuar nga prokurori Besim Kelmendi, ky Këshill ka paralajmëruar se do të ndërmerren masa ndaj atyre që janë përfshirë në këtë skandal të kurdisjeve, shkruan “Gazeta Express”.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën për opinionin publik, të lëshuar nga ky Këshill.

“Ndërlidhur me çështjen e adresuar gjatë ditës së djeshme dhe sot nga mediet elektronike në Kosovë, të cilat i referohen shkrimeve të disa mediumeve franceze, në të cilat flitet për kurdisjet e disa ndeshjeve të Superligës së futbollit të Kosovës;

Këshilli Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, ashtu siç e ka njoftuar opinionin edhe me prononcimet e më hershme, ka kërkuar dhe do të angazhohet në vazhdimësi që çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive të hetohet nga organet përkatëse shtetërore, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit. Me kërkesën e Këshillit për Sport, prokuroria e shtetit, në mbështetje të Policisë së Kosovës është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar në media. Meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit, ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet, mirëpo e përsërisim angazhimin tonë të palëkundur dhe të të gjitha autoriteteve tjera shtetërore për hetimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive. Me respekt, Besim Kelmendi Kryetar i Këshillit për Sport”, shkruan në njoftim.

Së paku katër ndeshje të futbollit të Kosovës dyshohet se janë kurdisur në Francë, me ç’rast atje janë arrestuar nëntë persona, prej tyre katër kosovarë.

Rreth 360 mijë euro thuhet se janë fituar në bastet e vëna për ndeshjet e Llapit, që shihet si protagonist i kurdisjes së ndeshjeve, në hetimin njëvjeçar të bërë në Francë.