Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj dy zyrtarëve për rastin e helmimit në Deçan.
Nëpërmjet një komunikate, “Hidrodrini” shkruan se që nga momenti i parë i shfaqjes së kësaj problematike, ka inkurajuar akterët relevantë, organet e rendit dhe të drejtësisë për zbardhjen e të vërtetës.
“Edhe në shembullin e sotëm, mbi pretendimet e Prokurorisë, KRU ‘Hidrodrini’ zotohet për transparencë me të gjitha organet e hetuesisë dhe me opinionin deri në zbardhjen e së vërtetës së shkakut për rastin në fjalë. Aktakuzat e ngritura sot, deri në verdiktin final të Gjykatës përkatëse, mbeten vetëm pretendime. Andaj, me këtë rast, lusim mediat, opinionin dhe të gjithë akterët e përfshirë, për korrektësi e mirëkuptim, kjo duke qenë të bindur thellë se vetëm kështu i ndihmojmë të vërtetës. Po ashtu, cilësimet dhe deklaratat nga politika, mbi çështjen, mendojmë se nuk janë në shërbim të zbardhjes së vet rastit”, thuhet tutje në komunikatë.
Kompania thekson se për ngritjen e aktakuzës është njoftuar nga mediat.
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale ‘Hidrodrini’ lidhur me helmimin e mbi 1,500 qytetarëve të Deçanit dhe fshatrave përreth në korrik të vitit të kaluar.
Prokurori i rastit, Dorjan Juniku tha se drejtori teknik i “Hidrodrinit” dyshohet për veprën penale “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe kimistja e kësaj kompanie dyshohet për veprën penale “mosevitim i rrezikut”.
“Në rastin konkret është e vërtetë se mbi 1,500 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, mirëpo 872 kanë pasur simptome që i referohen helmimeve nga uji i pijshëm, për çka edhe nga raporti gastroenteritit epidemiologjik i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike është konstatuar se të njëjtit kanë pasur bakterie Escherichia Coli dhe bakterin e njohur si Novo Virus”, tha Juniku.