Fjalë Kyçe

Reagon Ismet Munishi, pas humbjes së Gjilanit kundër ekipit të promovuar në Superligë

Reagon Ismet Munishi, pas humbjes së Gjilanit kundër ekipit të promovuar në Superligë

Trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi, ka këmbëngulur se ende ka shumë ndeshje të mbetura për t’u zhvilluar, pasi skuadra e tij e pësoi humbjen e parë sezonale në Superligë të dielën.

Gjilani i Munishit pësoi humbje tronditëse 3:2 nga klubi i promovuar në Superligë, Ulpiana, në një ndeshje dramatike në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, raporton Gazeta Express.

Trimror Selimi me një gol në minutën e 90+9 ia siguroi klubit nga Lipjani fitoren e parë në elitën e futbollit kosovar, në debutimin në Superligë.

Gjilani e ka vetëm një fitore këtë sezon dhe tani është në një ecuri negative prej dy barazimeve dhe një humbjeje, por Munishi këmbëngul se ende është vetëm fillimi.

Reklamë
“Jam shumë i kënaqur me angazhimin e futbollistëve. E dhamë maksimumin, i patëm mundësitë tona pasi e barazuam rezultatin në 2:2”, tha Munishi pas ndeshjes.

Munishi shtoi: “Pësuam nga një kundërsulm dhe nga pakujdesia. Sezoni është i gjatë, do të vazhdojmë.”

Gjilani i ka gjashtë pikë pas pesë ndeshjeve të para, gjashtë më pak se liderët Ballkani dhe Drita.

Në ndeshjen e ardhshme, të kuqtë përballen me rivalin e përbetuar të qytetit, Dritën.