Fjalë Kyçe

Reagon kryetari i Kamenicës për hyrjen e policisë serbe në territorin e Kosovës

Reagon kryetari i Kamenicës për hyrjen e policisë serbe në territorin e Kosovës

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, e ka quajtur shqetësues veprimin e hyrjes në Karaçevë të xhandarmërisë serbe, të cilin Policia e Kosovës sot tha se nuk e ka parë.

“Është tejet shqetësues që përsëri sot gjatë ditës disa paramilitarë apo militarë të armatosur serb, hyn në territorin e Kosovës, konkretisht në fshatin Karaçevë. Siç shihet në edhe në video, ata kanë ardhur në një zonë të frekuentuar nga banorët e të gjitha moshave. Provokimi i vazhdueshëm dhe terrorizimi i qytetarëve të kësaj ane, është i papranueshëm. Ky është kërcënim direkt për banorët e Karaçevës dhe për gjithë shtetin tonë”, shkruan Kastrati.

Kastrati hotë se lidhur me këtë çështje “u kam nisur shkresë zyrtare Presidentit të Kosovës, Kryeministrit, Ministrit të Mbrojtjes e atij të Punëve të Brendshme, që konform kompetencave të tyre të veprojnë në këtë drejtim”.

Policia e Kosovës thotë se pas raportimit të një informacioni nga Karaçeva e Kamenicës, njësitet policore kufitare kanë reaguar menjëherë duke shkuar dhe patrulluar tek vendi ku është raportuar rasti, porse, nuk kanë hasur në xhandarmërinë serbe.

“Njësitet policore nuk kanë hasur në atë lokacion ndonjë njësi apo siç është informuar për ushtri të Serbisë”, thuhet në përgjigjen e PK-së për KOHËN.

Tutje, thuhet se njësitet policore kanë bërë shikimin e vendit sipas koordinatave si dhe kanë bërë patrullime dhe vëzhgime në atë zonë.

“Po ashtu është njoftuar edhe KFOR-i, pasi që mandatin e sigurisë së zonës së kufirit me Serbinë, ende e ka KFOR-i”, thuhet në përgjigje.

Pak më herët, drejtori Rashit Qalaj tha se lëvizje ka pasur, por nuk dihet se a ka qenë në territorin e Kosovës.

blob:https://www.facebook.com/9b2fdd1f-8c62-4acc-ade1-331f921682af