Fjalë Kyçe

Reagon pronari i mullirit në Zhabar të Mitrovicës: Ia fali fabrikën atij që më demanton për çmimin

Reagon pronari i mullirit në Zhabar të Mitrovicës: Ia fali fabrikën atij që më demanton për çmimin

Pronari i mullirit në fshatin Zhabar të Mitrovicës, Vedat Bytyqi, ka thënë se janë të pavërteta ankesat e qytetarëve për shtrenjtim të kilogramit të miellit në mullirin e tij.

Në një video të publikuar në Facebook, Bytyqi ka thënë se “nuk do ta hapë më mullirin” e tij në qoftë se vërtetohet shtrenjtimi i çmimit të miellit në mullirin e tij.

“Nëse ka një njeri që thotë se në këtë mulli ka blerë 100 kilogramë miell për 51 euro, unë kurrë, po ua japë besën, se këtë mulli nuk e hapi kurrë. Kurrë nuk dal”, ka thënë Bytyqi.

Ai u ka kërkuar falje qytetarëve të cilët e kanë dërguar grurin e tyre për përpunim në mullirin e Zhabarit, e të cilët ende nuk e kanë marrë miellin në këtë fabrikë të miellit.

“Po më vije keq edhe prej qytetarëve dhe njerëzve që vijnë këtu me kërku miellin e tyre, e ne nuk kemi mundësi t’ia japim shkaku i ankesave të pabaza”, ka thënë Vedat Bytyqi.

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se sot është mbyllur mulliri në Zhabar, pas ankesave të qytetarëve për rritje të çmimit të miellit.

“Me këtë rast inspektorët komunal menjëherë kanë shqyrtuar ankesat e qytetarëve duke inspektuar këtë lokacion, ku kanë hasur në ngritjen e çmimit të miellit, për 100 kilogramë çmimi ka variuar nga 50 deri në 80 euro”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna e Mitrovicës bën të ditur se Inspektorët komunal janë vazhdimisht në teren për të parë nga afër nëse bizneset bëjnë ngritjen e çmimeve, dhe ndaj atyre që manipulojnë me çmime të produkteve do të merren masa ligjore.