Fjalë Kyçe

Reagon sindikata: Minatorët e “Trepçës” s’i kanë marrë ende pagat e qershorit, jemi buzë humnerës

Reagon sindikata: Minatorët e “Trepçës” s’i kanë marrë ende pagat e qershorit, jemi buzë humnerës

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës”, ka njoftuar se minatorët ende nuk i kanë marrë pagat e qershorit.

Në reagimin e Sindikatës thuhet se “interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero”.

“Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepca SH.A., janë vetëm fjalë boshe dhe asgjë tjetër. Një qasje e tillë refuzuese ndaj ndërmarrjes ‘Trepca Sh.A’ dhe minatorëve, duke i lënë të njëjtit buzë humnerës dhe duke ua pamundësuar ekzekutimin e pagave gati për dy muaj nën këto kushte të rënda financiare të minatorëve përben shqetësim serioz dhe sfidë që kërkon zgjidhje të menjëhershme”, thuhet në reagim.

Sindikata ka kërkuar ekzekutim të pagave.

“Ta dini se një qasje e tillë ndaj minierës ‘Trepça Sh.A’ dhe minatorëve të saj nga qeveria dhe ministria e saj paraqet rrezik serioz që të gjithë minatorët të gjejnë zgjidhje tjera apo edhe të migrojnë jashtë vendit. Fatkeqësisht ndoshta ky edhe është qëllimi dhe dëshira e disave!! Jeni duke i përbuzur minierën dhe minatorët, një ditë do i kërkoni! Reflektoni dhe ekzekutoni pagat”, thuhet në reagim.