Ministria e Punëve të Brendshme ka mohuar se ekziston draft final i Ligjit të Pagave, pjesë të së cilit janë publikuar sot në disa media.
Sipas MPB-së, lajme të tilla kanë qëllime të këqija.
“Ministria e Punëve të Brendshme dëshiron të informojë qytetarët se vala e pseudolajmeve që po përhapen me shpejtësi në mediat tona rreth ligjit për pagat e zyrtarëve publik është e pavërtetë dhe qëllimkeqe”, thuhet në njoftimin e MBP-së që e ka shpërndarë ministri Sveçla.
MBP thotë se Ligji i Pagave nuk do të bëjë përcaktimin e vlerës së koeficientit, dhe se i njëjti përcaktohet me Ligjin e Buxhetit.
“As nuk ka draft final të ligjit për pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me ligjin e buxhetit”.
Ministria thotë se këto dezinformata për Ligjin e Pagave kanë për qëllim krijimin e konfuzionit që më pas të keqpërdoren për nxitje të pakënaqësive, tranmseton telegrafi.
“Kjo valë e dezinformatave ka për qëllim krijimin e konfuzionit dhe krijimin artificial të pritjeve me idenë se këto pritje pastaj shumë lehtë mund të keqpërdoren për nxitje të pakënaqësive dhe ngritje të debateve të kota krahasuese”.
MPB thotë se do të ndajë draftin final me publikun në momentin kur i njëjti të finalizohet.