Fjalë Kyçe

Reagon Veliu: Llapjanët folën dje, kur sovrani flet të gjithë duhet të heshtin

Reagon Veliu: Llapjanët folën dje, kur sovrani flet të gjithë duhet të heshtin

Ish-kryetari i Komunës së Podujevës, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka deklaruar se llapjanët kanë folur dje dhe se kur flitet për sovranin, të gjithë duhet të heshtin.

Veliu tha se dega e LDK-së në këtë komunë që nga themelimi i partisë prej 31 vitesh, e pësoi humbjen e parë në zgjedhje, duke shtuar se është e rrallë për një parti demokratike të ketë besim aq të gjatë qytetarë, të palëkundur dhe konsistent.

Tutje Veliu shtoi se koha do ta dëshmojë se propaganda kundër tij dhe LDK-së, ka qenë e fabrikuar dhe false.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Llapjanët folën dje. Kur flet sovrani të gjithë duhet të heshtin. Dega e LDK-së në Podujevë, që nga themelimi i partisë prej 31 vitesh, e pësoi humbjen e parë në zgjedhje. Është e rrallë për një parti demokratike të ketë besim aq të gjatë qytetar, të palëkundur dhe konsistent, në kohë të vështirë dhe ditë të mira.

E çmoj jashtëzakonisht shumë dhe përkulem para këtij besimi që na keni dhënë për gati 31 vite. Këtë besim e kam respektuar dhe do ta vlerësoj përgjithmonë.

Koha do ta dëshmojë se propaganda kundër meje dhe LDK-së ka qenë e fabrikuar dhe false.

Kundërshtarët politikë ne nuk i konsiderojmë armiq, siç na identifikojnë ata neve.

Sot është një ditë reflektimi për neve. Do ta analizojmë me kujdes humbjen në zgjedhjet lokale, do të identifikojmë dhe korrigjojmë mangësitë tona, do ta zgjerojmë ekipin konform nevojave të qytetarëve, për tu rikthyer triumfalisht në Podujevë në zgjedhjet e vjeshtës së ardhshme.

Sinqerisht!

AV