Fjalë Kyçe

Reagon VV: Thaçi shpifi, do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë

Reagon VV: Thaçi shpifi, do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot deklaroi se Grupi i Albin Kurti, Xhelal Sveçlës dhe Arben Vitisë duhet të deklarohen në lidhje me vdekjen e 26 vjeçarit nga Gjilani në Qendrën e Studentëve dhe me rastin Pacolli, e ndaj kësaj ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do t’u drejtohet organeve të drejtësisë, pasi vlerëson se presidenti shpifi për këto çështje, ata madje e quajnë si fyerje e rëndë e integritetit të tyre politik.

“Presidenti edhe njëherë sot gjatë konferencës për media tha një mori të pavërtetash dhe nxiti sërish përçarje. Këto të pavërteta të formuluara kësilloj janë padyshim të qëllimshme dhe marrë parasysh institucionin që përfaqëson janë edhe të papranueshme. Për tre të pavërtetat më të fundit ne po konsiderojmë që t’i drejtohemi organeve të drejtësisë, sepse gjithë sa Presidenti tha është shpifje, fyen rëndë integritetin tonë politik, por edhe njerëzor dhe nxit përçarje e mosdurim”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Vetëvendosje thotë se nuk ka pasur vendime selektive mbi baza politike në Qendrën e Studentëve për karantinim, as nuk ka pasur sinjale nga organet kompetente për rrezik ndaj deputetit Pacolli dhe sipas kësaj partie presidenti nuk ka asnjë dëshmi të bazuar që të marrë guximin të thotë që dikush e ka shtyer Agon Musliun nga Gjilani të kryej vetëvrasje në Qendrën e Studentëve, ashtu siç akuzoi sot Thaçi në konferencë.

“Akuza të tilla janë të rënda, dhe për to duhet marrë përgjegjësi. Është tej mase e trishtueshme të shihet se si Presidenti mundohet të përdorë dhimbjen dhe fatkeqësinë e dikujt tjetër, për të hedhur baltë mbi institucionet e vendit. Presidenti, është duke mbuluar me turp postin që e mban, duke zvetënuar integritetin moral e shtetëror të figurës së Presidentit duke u kthyer në një zëdhënës të insinuatave të fabrikuara nga vet ai dhe rrjeti i ndikimit të tij ilegal. Ndjehet e dëshmohet se qytetarët në shumicë janë të distancuar nga një frymë e tillë përçarëse dhe jorrallë edhe në mungesë të humanitetit”, përfundon reagimi.