Fjalë Kyçe

Reali “peshkon” te City, arrihet marrëveshja për talentin 19-vjeçar

Reali “peshkon” te City, arrihet marrëveshja për talentin 19-vjeçar

Reali i Madridit gjithnjë e më shumë po mendon për të ardhmen dhe shpenzon miliona për të rinj që mund të kthehen në yjet e rinj të futbollit brenda pak vitesh.

Kampionët e Europës kanë arritur marrëveshjen me Manchester City-n për blerjen e sulmuesit spanjoll Brahim Diaz për 14 milionë sterlina, sipas mediave në Spanjë e Angli.

SunSport raportoi në fillim të dhjetorit se spanjolli 19-vjeçar do të firmosë në janar, duke qenë se kontrata i skadon verën e ardhshme dhe është refuzuar oferta për rinovim te “Qytetarët”.

Diaz autor i dy golave në Kupën e Ligës në 1 nëntor, në fitoren 2-0 kundër Fulham-it, do të firmosë një kontratë 6-vjeçare, raporton Marca, ndërsa paga e tij pritet të jetë mbi 3 milionë euro në sezon, shifër e frikshme për një futbollist që ende nuk ka luajtur asnjë ndeshje si titullar në kampion, por që konsiderohet si një ndër yjet e së ardhmes në Spanjë.

Reali shumë rrallë bën blerje në janar, por Diaz ka qenë një okazion që nuk duhej humbur dhe përveç kësaj, linja e re e klubit duket se është ajo e blerjes së talenteve, siç ndodhi në verë me Vinicius Junior dhe brazilianin tjetër Rodrygo, i cili në ditët e ardhshme do të nisë aventurën madrilene, transmeton telesporti.

Për Manchester City-n është një goditje tjetër e rëndë, pas largimit të talentit Jadon Sancho, i cili tashmë po mahnit Europën, duke dhuruar spektakël me fanellën e Dortmundit. Sancho gjeti ambientin perfekt për një të ri të talentuar, por natyrisht ka shumë dyshime rreth Diaz, pasi te Reali gjen emra si Asensio, Vinicius Junior e Rodrygo, të cilët luajën të gjithë thuajse në pozicion të ngjashëm me Diaz.