Fjalë Kyçe

Regjistrimi i popullsisë, sfidues në veri dhe në kryeqytet

Regjistrimi i popullsisë, sfidues në veri dhe në kryeqytet

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë tash e një javë ka nisur dhe do të zgjas deri më 17 maj. Megjithatë, sfida në këtë proces po shihen në katër komunat e veriut. Kjo për shkak se regjistruesit serbë janë tërhequr pas thirrjes së Listës Serbe për ta bojkotuar këtë proces.

Por prapë se prapë, pozitiv po shihet interesimi i serbëve për regjistrim, pasi për shtatë ditë janë regjistruar mbi 1000 serbë, sidomos veçohet dita e enjte, ku thuhet se ka pasur regjistrim masiv të serbëve në të gjitha komunat.

Drejtori i Agjencisë së Statistikave në Kosovë, Avni Kastrati në një intervistë për KosovaPress, thekson se ata që kanë vendosur të jetojnë në Kosovë, duhet të jenë pjesë e regjistrimit, pasi mospjesëmarrja do të thotë që nuk janë pjesë e komunitetit.

Po ashtu, Kastrati ka treguar se sfidë e regjistrimit të popullsisë është edhe në Komunën e Prishtinës për shkak të lëvizshmërisë të madhe të qytetarëve.

“Zakonisht prej përvojës së vitit 2011 dhe kemi parë edhe vendet e regjionit, kryeqyteti ka sfida më shumë, për shkak të numrit më të madh të popullsisë dhe se një pjesë e tyre janë rezidentë dhe mund të paraqiten jorezidentë. Ne kemi angazhuar profesionistë për Prishtinën dhe kemi një bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe të dhënat do të jenë të sakta. Prishtina është më komplekse sepse lëvizshmëria është më e madhe, ka disa ditë që janë këtu, disa ditë në komunën e tyre dhe regjistruesi e ka për obligim që duhet të regjistrohesh në vendbanimin rezident se ku e kalon pjesën më të madhe. Qytetarit i është dhënë mundësia ditëve të punës dhe gjatë vikendit, tre herë do të shkojnë regjistruesit, e ka numrin e telefonit kur ai është më i lirë, mund të telefonojë komunën dhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës. Ka gjitha opsionet e mundshme sepse është obligim ligjor sepse mund të shkojë në gjobë nga 30 euro deri në 2000 euro. 30 euro nëse ke pas një rast që është dashur të shkosh, në aktivitet apo sëmundje jashtë, është e zakonshme që ndodhë. Asnjë shtet nuk e ka arritur deri 99,9% të regjistrimit të popullsisë. Gjoba është e madhe nëse refuzoni të merrni pjesë në regjistrim, mospjesëmarrja do të thotë që nuk je pjesë e atij komuniteti”, theksoi Kastrati.

Ndërkaq, për pjesën veriore të Kosovës, Kastrati theksoi se nisja e procesit të regjistrimit ka qenë sfiduese dhe pak e vonshme për shkak të thirrjes së Listës Serbe që serbët e Kosovës mos të marrin pjesë.

Ai tha se përkundër kësaj, qytetarët serbë të cilët jetojnë në pjesën veriore, kanë shprehur gatishmëri për t’u regjistruar dhe kanë marrë rrugë në pjesën jugore për regjistrim.

“Ne kishim përgatitje sikur në gjithë pjesën e Kosovës, kishim hapur konkurs për regjistrues në gjuhën e komuniteteve tjera, kishim aplikuar regjistrues, mbajtëm trajnimet e tyre por më pas u tërhoqën për shkak të thirrjes së Listës Serbe. Ne kemi diskutuar me përfaqësues të institucioneve serbe. Kemi nënshkruar kontrata të reja me komunitetin serb dhe besoj që ditët në vijim do të regjistrohen”, ka thënë ai.

Deri të premten në orën 12:00, Kastrati tha se mbi 1000 serbë janë regjistruar, teksa theksoi se të enjten ka pasur një regjistrim masiv të komunitetit serb, por edhe nga komunitetet tjera.

“Përndryshe kuota që është planifikuar çdo ditë është tejkaluar dhe besojmë që do të jemi në kohë. Dje (e enjte, 11 prill) ka pasur regjistrim masiv të serbëve në të gjitha komunat, ka qenë interesante edhe disa pjesëtarë të komunitetit serb, ani pse nuk ka regjistrues, kanë shpreh gatishmërinë që në pjesën jugore të jenë pjesë e regjistrimit, ka qenë e vështirë për ata se nuk e kanë pasur regjistruesin serb dhe është dashur të udhëtojnë. Komuniteti serb që është në pjesën jugore dhe disa individë kanë kërkuar me u regjistruar sepse në fund vendos individi sepse ai që vendos të jetojë këtu, duhet të me qenë pjesë e regjistrimit”, tha Kastrati.

Ndërsa, gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë. /kp